Vllaznia do presë në javën e 28-të të Superiores brenda në Shkodër, ekipin e Erzenit. Me shijakasit që kanë qenë me të vërtetë një skuadër që i ka shkaktuar shumë ‘dhimbje koke’ shkodranëve këtë edicon. Por tashmë me trajnerin e ri, Goce Sedloski në krye të pankinës kuqeblue, duket se disi humori është ndryshuar në kampin e 9 herë kampionëve të vendit.

Megjithatë forma e Vllaznisë vijon të jetë plot luhatje dhe këtë e tregojnë edhe statistikat. Duke marrë vetëm ndeshjet brenda, shkodranët kanë pasur goxha disbalance në 5 duelet e fundit. Në fillim të edicionit u duke se ‘Loro Boriçi’ do ishte një fortesë për kuqeblutë dhe ndeshjet shtëpiake pika e fortë e skuadrës.

Por diçka e tillë nuk rezulton e suksesshme në 5 ndeshjet e fundit mes kupës dhe kampionati. Kështu Vllaznia ka arritur që në 4 ndeshjet e fundit në kampionat në shtëpi të fitojë përballë Tiranës në shifrat 1-0, është mposhtur nga Kastrioti 0-1 e ndërsa ka edhe dy barazime.

Ndaj Partizanit në shifrat 1-1 dhe së fundmi kundër Bylis në shifrat e bardha 0-0. Përsa i përket ndeshjes së kupës, shkodranët kanë fituar kundër Partizanit në shifrat 3-1. Por po të marrim vetëm ndeshjet e kampionatit, ecuria nuk është aspak pozitive në duelet e fundit shtëpiake.

Trend që me patjetër duhet të ndryshojë duke nisur nga kjo fundjavë, kjo nisur edhe nga ambiciet e këtij sezoni tek kuqeblutë. Që nëse vijojnë me paraqitje të tilla, rrezikojnë të hedhin në ‘erë’ një edicion ku pritej që ekipi të ishte në maja.
Endri ÇINARI