Serie A e dënoi këtë të martë Fiorentinën me një gjobë prej 50,000 eurosh pasi tifozët e klubit vjollcë përgatitën një mozaik me mesazhin “Juve Merda” (Juve, M*t), para fillimit të ndeshjes të së dielës mes dy ekipeve në stadiumin ‘Artemio Franchi’ të Firenzes.

“Një gjobë prej 50,000,00 € për klubin e Fiorentinës për shfaqjen e një koreografie që përmbante një shprehje ofenduese ndaj ekipit kundërshtar”, shpjegoi në një komunikatë Gjykatësi Sportiv i Serie A, organi ndëshkues i futbollit italian.

“Po ashtu, për këndimin gjatë ndeshjes të thirrjeve ofenduese ndaj lojtarëve dhe tifozëve të ekipit kundërshtar; dhe për hedhjen e tymueseve në sektorin e mbushur me tifozët e ekipit kundërshtar”, shtohej në komunikatë.

Koreografia e tifozëve “Viola”, veçanërisht drejtuar një rivali historik, nxiti shpejt polemika në Itali, por fitorja 3-0 e Fiorentinës ndaj Juventusit e tërhoqi menjëherë vëmendjen drejt katastrofës dhe krizës së “Zonjës së Vjetër”.

Pavarësisht humbjes dhe kritikave të shumta, sipas gazetës ‘Tuttosport’, klubi bardhezi kërkoi informacion edhe nga policia e Firenze-s për të identifikuar personalisht të përfshirët, të cilët mund të denoncohen për ofendimin ndaj klubit.