Atleti I Vllaznisë Franko Burraj pas pak ditësh do të niset drejt Gjermanisë për të marrë pjesë në garat e Kampionatit Europian që do të zhvillohen në Berlin.

Ai do të jetë I shoqëruar nga trajneri I tij Bruno Rrotani dhe natyrisht që kanë objektiva serioze edhe për këtë aktivitet.

Pas thyerjes dy herë të rekordit kombëtar të garës së 400 metrave gjatë zhvillimit të Lojërave Mesdhetare në Tarragona të Spanjës në muajin qershor, do të tentojë të njëjtën gjë edhe në garën e rradhës.

Pavarësisht temperaturave të larta të këtyre ditëve, Burraj dhe Rrotani kanë punuar me intensitet për të ruajtur formën fizike. Gjithçka duket në rregull tashmë dhe mbetet vetëm konkretizimi me një tjetër rezultat të lartë.

Nisja drejt Gjermanisë do të bëhet më 5 gusht ndërkohë që ai do të jetë në pistë për të garuar dy ditë më vonë.

Kuptohet që gara pritet të jetë shumë e fortë dhe atleti shkodran do ta ketë shumë të vështirë të kapë finale megjithatë Burraj do të ketë një sfidë me veten për të thyer rekordin e disiplinës së 400 metrave.

Ky rekord 21 vjeçar u thye dy herë gjatë muajit të kaluar, fillimisht në 46 sekonda e 71 të qindtat dhe më pas, u përmirësua edhe me 13 të qindta të tjera.

Trajneri Rrotani beson se sportisti I tij I ka mundësitë dhe aftësitë për ta ulur edhe më shumë këtë rekord dhe të mos harrojmë se ai është vetëm 20 vjeç dhe ka një karrierë të gjatë përpara.

Gara që do të zhvillojë në Botërorin e Berlinit është një test shumë i rëndësishëm për të dhe nëse ia del të paraqitet mirë, kjo do të thotë se ky sportist ka një të ardhme të ndritur përpara.

www.shkodrasport.com