Trajneri i Kukësit, Armando Cungu, pas fitores me Kamzën, në intervistën për Supersport, deklaroi:

Jemi mësuar që Kukësi varet nga Rexhinaldo, por Shameti bën detyrën si kapiten. I kënaqur sot?

Jam i kënaqur për pikët, dhe në përgjthësi për lojën. E merituam fitoren, e dominuam. Si në pjesën e parë, edhe për 25 minuta në pjesën e dytë. Nga minuta 70, pasi Shafik nuk ka gjendjen më të mirë fizike. Edhe unë isha në dilemë për ta ndërruar, pasi do na binte mbajtja e topit, pasi në ato momente duhet qarkulluar topi. Edhe ndërrimi i tij ndikoi, pasi Kamza na vuri në vështirësi, me forcat e shumta sulmuese. Në këto kushte, është instiktive tërheqja e ekipit për të mbrojtur rezultatin.

Në pjesën e dytë, befasuat me lëvizjen e Rexhinaldos. E bëri mirë detyrën aty?

Ai e bën punën mjaft mirë, por e ndihmuan edhe shokët. Ai lojtar meriton komplimenta për shpirtin e garës. Patëm raste për të shënuar në pjesën e parë, edhe në të dytën, nuk na falet t’i humbim gjithë ato raste. Gjithsesi, rëndësi kanë pikët e marra.

Plaku dhe Martinena patën raste të pastra në zonë për të shënuar…

E drejtë, kur je në avantazh, je duke marrë 3 pikë, është e vështirë të pësosh në fund, për një pakujdesi. Për këtë arsye, ngul këmbë që të shënojmë rastet që krijojmë. Na mungon finalizimi. Patëm disa situata sot, por mesfushorët e sulmuesit nuk shënuan. Duhej një mbrojtës si Shameti të vinte e të zgjidhte situatën.

Kukësi nuk ka plan B për golin. Lojtarët nuk e tentojnë shumë portës. Mund të jetë Çyrbja zgjidhja?

Të thashë, e rëndësishme është që ekipi shkon te porta. Mungon ndoshta edhe qetësia. Nuk kanë të gjithë nuhatjen e Rexhinaldos, por nuk mund të varet një ekip vetëm nga ai. Edhe Çyrbja ka luajtur sistematikisht, dhe do presim edhe kontributin e tij në fushë.

Derbi? Do ju interesonte të fitonte Tirana?

Është herët për të bërë llogari. Për mua, është e rëndësishme, por edhe për tifozët, të shohin një ndeshje të bukur. Edhe tifozeritë të jenë shembullora, pa incidente.