Drejtuesit e klubit ndërkohë kanë shfrytëzuar këtë moment, për të nderuar edhe një figurë shumë të njohur të sportit shkodran, ish- trajnerin e këtij ekipi- Raimond Rashën. Ka qenë drejtori Mark Kroqi që ka shprehur Mirënjohjen për kontributin gjysmëshekullor të këtij trajneri në shërbim të basketbollit shkodran.

“Kam nderin dhe kënaqësinë që në emër të klubit Vllaznia, në emër të stafit të tij, të them që në mesin ka patur, ka dhe do të ketë figura të shquara. Por sot do të ndalemi tek profesor Mondi, i cili ka kontribuar për klubin plot 44 vjet, pa llogaritur pjesën si sportist.

Një jetë e tërë e kaluar mes sakrificash, mundimesh, netësh pa gjumë, ai i ka shërbyer Shkodrës. Për rrjedhojë ne kemi marrë inisiativë që këto figura t’i respektojmë me aq sa kemi mundësi, sepse ky është një model që pak qytete e kanë.

Ne kemi Mondin, profesor Vilin, kemi figura të tjera që në ditët në vazhdim do t’i respektojmë dhe do t’i nderojmë edhe ato. Ky është minimumi që ne mund të bëjmë për ta. Tek basketbolli sot ka sërish shumë vajza që vazhdojnë rrugën që u ka mësuar profesor Mondi”- ka thënë drejtori Kroqi.

Ndërkohë vetë Rasha është parë i emocionuar nga kjo ceremoni e thjeshtë sepse pas 54 vitesh kontribut, më në fund dikush kujtohet për të.

“Kjo është diçka emocionuese për mua, një përgjegjësi, por lehtësohem sepse jam në shtëpinë time, mes shokësh e miqsh, që pas 54 vitesh sport, më në fund arrij që përmes klubit Vllaznia, të marr një Mirënjohje, në qytetin tem, në klubin tem, në pallatin tem ose tonin.

Rruga e përshkruar nuk ka qenë aq e lehtë, ka patur ato uljet dhe ngritjet e veta, por ku me sakrificë, ku me këmbëngulje por ndoshta në ndonjë vend edhe me “marri”, kemi arrit njëfarë punet modeste. Kemi qenë i pari ekip që pas vitit 1997 dhe problemeve që solli ai vit, treguam se në Shkodër ka qetësi dhe më pas u krijuan edhe ekipe të tjera.

Kemi bërë diçka të mirë besoj me basketbollin e femrave, me ndihmën e klubit Vllaznia, por edhe falë grupit të punës që u krijua, me Renato Radojën, me mua, me Irini Mitkun që është themeluesja pas vitit 1999, me Afërdita Rakajn, me Xhuli Shestanin, bëmë diçka krejt modeste. Uroj që Shkodra ta ruajë traditën e krijuar me basketbollin”-deklaroi Rasha.

Nderime dhe vlerësime të tilla kuptohet që janë të domosdoshme për të tilla figura sepse në fund të fundit është minimumi që mund të bëhet për to, për gjithë atë djersë, mund e sakrificë që kanë bërë për Vllazninë dhe Shkodrën./SHKODRA-SPORT.COM/