Liga e Kampionëve mbetet një nga kompeticionet më të pëlqyera nga tifozët, duke qenë se shpesh herë dhuron përballje spektakolare dhe emocione të shumta.

Pas pushimit për shkak të Ligës së Kombeve, himni i Championsit do të dëgjohet sërish pas një jave, ku do të luhen disa sfida spektakolare.

Në Paris luhet takimi mes PSG-së dhe Napolit, ndërsa një javë më vonë Napoli do të presë PSG-në dhe mediat italiane, raportojnë se për herë të parë po shiten të gjitha biletat.

Deri më tani, kur kanë mbetur edhe dy javë nga takimi, janë shitur plot 30 mijë bileta, ndërkohë që kërkesa për të ndjekur këtë takim në stadium, është e lartë.

Deri në datën 6 nëntor kur edhe luhet kjo sfidë mendohet që mos të ketë më asnjë biletë, gjë e cila ende nuk ka ndodhur këtë sezon me Napolin. Shkak për këtë interesim kaq të madh, është rikthimi i Edison Kavanit në “San Paolo”, por këtë herë si kundërshtar.

Simpatia e napolitanëve për sulmuesin uruguaian, është e madhe dhe me këtë rast, edhe Hysaj do të provojë të luajë me presionin e një stadiumi të tejmbushur që do të mbështesin Kavanin, atë që Hysaj duhet ta bllokojë sa herë që t’i jepet rasti. /vipsport/