Ka ndodhur vërtetë 50 vjet më parë, në sezonin 1964-65. Që prej atëherë, Vllaznia asnjëherë tjetër nuk kishte pësuar 6 humbje rradhazi siç po i ndodh tani. Pesë dekada për një rekord negativ, kaq i është dashur kuqebluve për ta përsëritur atë. Kuptohet që momenti aktual nuk është aspak i mirë. Të gjithë mundohen t’ia hedhin fajin njëri- tjetrit për një fakt të tillë por ky është realiteti. Vllaznia e sivjetme ka rrëshqitur gradualisht.

Nga ai fillim i mirë i kampionatit, tashmë nuk po arrin të marrë as të paktën një barazim dhe kjo e ka rënduar situatën në kampin shkodran. Shumëkush nuk e mbante mend sesa vite më parë ishte rregjistruar një bilanc i tillë negativ. Dhe në fakt është dashur të shfletohen shumë statistika dhe shumë kampionate. Për të mbërritur tek sezonin 1964-65 kur ka qenë e njëjta histori. Plot 50 vjet më parë, por në fakt atëherë ka qenë periudha e një ndryshimi brezash tek Vllaznia dhe një ecuri e tillë mund të ketë qenë në njëfarë mënyre e justifikuar por tani ajo nuk mund të kapërdihet kollaj prandaj dhe tifozët janë shumë skeptikë për skuadrën aktuale.
Sezoni 1964-65
Mund të duket vërtetë e çuditshme por ka ndodhur pikërisht në atë sezon një seri e tillë humbjesh rradhazi për Vllazninë. Madje jo 6 por 7 humbje rradhazi në kampionat. Ka ndodhur pikërisht në atë sezon kur shkodranët do të fitonin Kupën e parë të Republikës pasi kanë mundur në finalen e luajtur në “Qemal Stafa” Skënderbeun me rezultatin 1-0. Kampionati megjithatë për këtë skuadër nuk ka shkuar mirë atë sezon. Ecuria e keqe nisi pikërisht me humbjen 3-0 në Tiranë me Partizanin në javën e 14-të. Më pas, humbje në Shkodër 0-1 me Dinamon, në Berat 2-3 me Tomorin, në Shkodër 0-1 me Lokomotivën, në Elbasan 2-3 me Labinotin dhe për të plotësuar gjashtëshen e humbjeve rradhazi është dashur humbja në Shkodër me Besën 0-1. Kjo ecuri do të vazhdonte edhe një javë më vonë, me një tjetër humbje këtë herë ndaj Tiranës 4-2 në kryeqytet dhe këtu do mbyllej seria e rezultateve negative. Ka qenë edhe atëherë e çuditshme një ecuri e tillë kur pjesë e skuadrës ishin emra të mëdhenj të saj si Paulin Ndoja, Ramazan Rragami, Sadetin Zmijani, Xhevdet Basha, Esat Rakiqi, Selami Dani, Shuaj Preza, Kol Gjoni, Nikoll Gjergji, Hajrullah Lekaj, Osman Djepaxhia, Sabah Bizi etj ndërsa trajnerë ishin Skënder Jareci dhe Rifat Rusi
Sezoni 2014-15
Përsëritet sivjet kjo ecuri. Distafa e parë ka qenë ajo me Laçin 3-0 në javën e shtatë e që atëherë Vllaznia nuk njeh rezultat tjetër veç humbjeve në kampionat. Pas Laçit, kuqeblutë do mundeshin 0-1 në Shkodër nga Partizani, më pas 0-3 në Korçë nga Skënderbeu, 1-2 në Kukës, për të vazhduar me humbjen 1-2 në Shkodër ndaj Teutës dhe për ta mbyllur me humbjen e gjashtë rradhazi, atë 0-1 në Tiranë kundër bardhebluve. Një situatë e papranueshme e që nuk i ndodh Vllaznisë që para 50 vitesh. Por nëse në sezonin 1964-65, skuadra u rendit e teta ndër 12 skuadrat pjesmarrëse dhe çka është më e rëndësishmja fitoi Kupën e Republikës, sivjet nuk duket ta ketë atë shans. Objektivi i saj madhor është qëndrimi në Superligë e nëse do ia arrinte, ky do ishte “trofeu” më i mirë i kësaj skuadre.
Gjergj KOLA

Ne foto Vllaznia e sezonit 1964-65 kur eshte perseritur per here te fundit kjo ecuri negative e skuadres se sotme me 6 humbje rradhazi.