Nga Endri ÇINARI
Kur kanë ngelur edhe 6 ndeshje nga fundi i Superiores, të gjitha ekipet kanë filluar me “llogaritë”. Duke pasur parasysh edhe kalendarin që kanë përpara në këto 6 raunde të fundit të sezonit të rregullt. Përjashtim patjetër nuk bën as Vllaznia, që në 6 ndeshjet e ngelura ka një kalendar që mund të konsiderohet i fortë dhe shumë të ekuilibruar.
Kjo pasi kuqeblutë do luajnë 3 ndeshje në transfertë dhe 3 ndeshje në shtëpi. Dhe po ashtu ndaj kundërshtarëve me objektiva të rëndësishëm. Kështu shkodranët në mesjavën që vjen do jenë miq në Rrogozhinë kundër Egnatias. Në një duel që mund të peshojë shumë për dy vendet e para të renditjes. Pas këtij dueli, Vllaznia pret në shtëpi, Teutën. Një skuadër që kërkon pikët e mbijetesës këtë sezon në Superiore, shkruan shkodrasport.com
Pas këtij dueli, Vllaznia do jetë sërish kundër një ekipi që lufton për mbijetesë si Bylis. Por me sfidën që luhet në transfertë dhe që mund të konsiderohet delikate. Në javën e 34-ët që ndoshta mund të jetë më përcaktuesja për renditjen në katërshen e parë, kuqeblutë presin në shtëpi Dinamon. Në një duel direkt mes dy skuadrave që po rivalizojnë në distancë mes tyre për dy vendet e para të klasifikimit.
Në javën e 35-të, shkodranët do jenë mysafirë në Elbasan. Me vendasit që momentalisht nuk kanë ndonjë “objektiv” konkret, por që patjetër kanë kualitet dhe mund të të vendosin në vështirësi. Kampionati do mbyllet në javën e 36-të kundër Laçit në shtëpi për Vllazninë. Në një duel që ndoshta në javën e fundit mund të luhet vetëm për statistikë. Por duke parë se si kanë shkuar ngjarjet deri më tani në kampionat, asgjë nuk mund të konsiderohet e sigurt deri në vërshëllimën e fundit të edicionit 2024-25.(www.shkodrasport.com)