Problemet te Vllaznia nuk kanë të sosur për sa u përket dëmtimeve. Vllaznia e pagoi shtrenjtë fitoren ndaj Teutës. Sikur të mos mjaftonin problemet e shumta që ishte duke kaluar Vllaznia me dëmtimet, vjen edhe një tjetër lajm i keq. Portieri Kristi Qarri mund të mungojë për një periudhë të gjatë në formacionin kuqeblu.

Janë plot 6 futbollistë që kanë përfunduar në infermieri. Hakaj, Juriç, Spahija dhe Bruno Gomes ndodhen prej ditësh të dëmtuar, teksa pas sfidës me Teutën janë shtuar edhe Asani dhe Qarri.

Duket se makthi më i madh i kuqebluve në këtë sezon janë dëmtimet, të cilët ndikojnë edhe në performancën e skuadrës. Memellit nuk i mbetet gjë tjetër veçse të shpresojë që lojtarët të rikthehen sa më shpejt në fushë e lojës për të dhënë kontributin e tyre në skuadër. Hakaj ka një tërheqje në kofshën e këmbës së majtë.

Po ashtu një tërheqje në këmbën e djathtë ka Juriç, ndërsa Spahija me tërheqjen që ka pasuar do të qëndrojë për më shumë se dy muaj jashtë stërvitjes. Po ashtu Bruno, që kishte probleme fizike në momentin e ardhjes, duket se nuk e ka përballuar ngarkesën stërvitore. Shqetësimi i tij duket më i lehti për momentin.

Ndërsa një tjetër lojtar që u dëmtua dhe po shihet me shumë vëmendje rikthimi i tij është edhe mbrojtësi i majtë Xhelil Asani. Si u dëmtua në takimin ndaj Teutës, duke sjellë madje edhe një problem jo të vogël për repartin e mbrojtjes.

Teknikun Memelli deri në ditën e fundit të përgatitjeve për përballjen me Egnatian do ta ketë mendjen tek infermieria për të shpresuar që ndonjë nga lojtarët e dëmtuar do të mund të rikuperohen, pavarësisht se koha është tejet e shkurtër.