Pas ndeshjeve të Kombëtares së Shqipërisë U-19 për femra, tashmë do të jetë rradha e Kombëtares U-17 të zbresë në fushë dhe të nisë grumbullimin në kuadër të sfidave të vlefshme për kualifikueset e kampionatit europian për këtë grupmoshë.

Kështu, nën drejtimin e trajnerit Agustin Kola dhe stafit të tij, vajzat kuqezi do të nisin përgatitjet nga dita e nesërme, me qëllim kualifikimin dhe ngjitjen në Ligën A për këtë grupmoshë. Shqipëria është shortuar në grup së bashku me Kosovën, Moldavinë dhe Maqedoninë e Veriut, teksa të gjitha sfidat e këtij grupi, do të zhvilllohen në vendin tonë, në formën e një mini-turneu.

Trajneri Kola ka grumbulluar 20-futbolliste për këto ndeshje të rëndësishme, ku baza është pjesë e kampionatit shqiptar, teksa tre prej tyre aktivizohen me ekipin e Vllaznisë dhe bëhet fjalë për lojtaret Ersida Shporaj, Herta Hasaj dhe Marinela Ndoci. Perpos tyre jane kater futbolliste te tjera shkodrane dhe pikerisht tre qe luajne me ekipin e Laçit, Ambra Reshiti, Bjeshka Kuraj dhe Klevisa Ndoci si dhe shkodrania qe perfaqeson Kukesin, Rosela Vasa.

Vajzat kuqezi do të kenë në dispozicion tre ditë për t’u përgatitur për sfidën e parë, duke nisur nga dita e nesërme. Ndeshja e parë e Kombëtares do të jetë ajo kundër Maqedonisë së Veriut, të martën më 18-tetor në ora 14:30 në stadiumin “Elbasan Arena”, që do të jetë edhe shtëpia e vajzave kuqezi U-17 në këto kualifikuese. Tre ditë më vonë, Kombëtarja do të luajë ndaj Moldavisë, në po të njëjtën orë.

Takimi i fundit i ekipit të drejtuar nga Agustin Kola, do të jetë kundër Kosovës më 24-tetor në ora 14:30 në “Elbasan Arena”. Në rast se, Shqipëria renditet në vendin e parë në grup, atëherë siguron edhe ngjitjen në Ligën A dhe do të ketë shanse reale për t’u kualifikuar në Europian.
Maringlen ZHIVANI