Futbolli i femrave në Shqipëri, nuk ka nivelin që pretendohet dhe me përjashtim të Vllaznisë që bën ligjin dhe luan rregullisht në Europë, skuadrat e tjera janë në një nivel më të dobët dhe vetëm Apolonia mundohet të rivalizojë megjithatë pa sukses. Megi Doçi është futbollistja e cila u është kthyer në makth kundërshtarëve, duke shënuar goleada thuajse në çdo ndeshje.
Sulmuesja nga Burreli ka shkëlqyer edhe në ndeshjen e fundit kundër Tirana AS, aty ku në fakt i ka munguar fati megjithëse ka shënuar 6 gola. në atë ndeshje të fituar 11-0 nga Vllaznia, Doçi ka goditur edhe 7 herë shtyllën. Në një intervistë për “VipSport.al”, Doçi u shpreh se nuk po e kuptonte fatin e saj, teksa flet edhe për objektivat që ka këtë sezon.
Megi, 7 shtylla në një ndeshje? Çfarë nuk po shkonte?
Po luanim gjatë gjithë kohës në sulm dhe po provoja të shënoja përsëri. Gjuaja me të djathtën shtyllë, gjuaja me të majtën shtyllë edhe thosha gjatë gjithë kohës “çfarë fati kam” deri sa shënova dhe golin e tretë.
Megjithatë shënon 5 gola… si ndihesh?
Kjo vjen falë shoqeve te ekipit dhe aftësive te tyre që në çdo ndeshje japin kontributin e tyre maksimal që të shënoj dhe ekipi të shkojë drejt suksesit pasi u shpallëm edhe “Kampionë Dimri”.
A ndihesh e zhgënjyer që nuk i shënove edhe ato shtyllat?
E rëndësishme është që ka bashkëpunim dhe harmoni në grup. Sa i përket shtyllave, nuk ndihem e zhgënjyer pasi është një shprehje “më mirë një shtyllë, se sa një gol që e shtyn në vijë fatale”. Ndonjëherë janë edhe më të bukura sepse të japin emocione në lojë.
Sa është kuota e golave që ke si objektiv sezonal?
Objektivat janë për të bërë paraqitje sa më të mira, për të shënuar shumë gola dhe pse jo për të thyer rekordin e sezonit të kaluar me 79 gola. /VipSport/