13.5 milionë eurot që Reali i Madridit arkëtoi nga shitja e Oskar Rodrigezit nga Sevija janë të fundit në operacionin e largimeve. Ky është prioriteti i klubit madrilen gjatë kësaj kohe, në mënyrë që të përmirësojë organikën e Zidanit në aspektin sportiv.
Por mbi të gjitha të mbushë disi arkat në një epokë shumë delikate për të gjitha skuadrat të shkaktuar nga kriza ekonomike prej virusit. Largimet do të thonë të ardhura dhe më pak paga për të paguar. Për momentin, Reali i Madridit ka arritur të sigurojë 70 milionë euro nga shitjet në këtë merkato.
Kjo do të thotë se puna e bërë nga drejtuesit ka qenë shumë e mirë. Shitja e parë dhe ajo që ka sjellë më shumë të ardhura ishte ajo e Hakimit, i cili u transferua tek Interi për 40 milionë euro. Pastaj u largua Havi Sançez për 3.5 milionë euro, Dani Gomez për 2.5 dhe De Frutos për 2.5. Të rinjtë sollën në arkat e klubit 8.5 milionë euro.
Edhe huazimet e të rinjve të tjerë kanë qenë fitimprurës për Realin. Vijareali pagoi 2.5 milionë për Kubon, ndërsa Dortmundi mori Reinierin, Brahimi është pranë zyrtarizimit te Milani dhe Vajeho do të vazhdojë të qëndrojë te Granada. Operacioni i fundit për largimin e Oskarit drejt Sevijes për 13.5 milionë euro do të thotë se klubi ka arritur të përfitojë 64.5 milionë euro deri tani.
Madridi është duke bërë llogaritë edhe për të ardhmen, por peshën më të madhe do ta mbajnë futbollistët e rëndësishëm si Mariano, Hames Rodrigez dhe Bejl. Mariano Diaz dhe Benfika janë duke folur, por ende nuk e kanë gjetur marrëveshjen për pagën vjetore.
Hames Rodrigez është shumë pranë kalimit tek Evertoni për t’u bashkuar me Ançelotin, ndërsa situata më e vështirë për t’u zgjidhur është Bejl. Uellsiani ka edhe 2 vite kontratë dhe nuk ka ndërmend që të largohet nga klubi spanjoll, edhe pse ofertat ndaj tij nuk kanë munguar gjatë kësaj kohe.