Dita e sotme ka shënuar 75 vjetorin e lindjes së legjendës së basketbollit shkodran dhe atij shqiptar- Renato Radojës. Ai vetë në fakt ka dashur që në këtë ditë të shënuar të mblidhte shokët e miqtë e tij por si pensionist që është, e ka patur të pamundur një gjë të tillë. Nga ana tjetër, as klubit shumësportësh Vllaznia dhe as Bashkisë Shkodër nuk I ka rënë ndër mend për një përvjetor të tillë. Vetë mjeshtri Radoja, në një intervistë për gazetën www.shkodrasport.com ka shprehur keqardhjen që askush nuk kujtohet për t’I nderuar njerëzit që kanë kontribuar për të në vite.
“Në fakt do kisha dashur që në këtë ditë të shënuar, të mblidhja disa nga shokët dhe miqtë e mi më të mirë por rrethanat janë të tilla që nuk mundem sepse jetoj me një pension. Ky ndoshta është përvjetori i fundit që mund të festoja sepse s’i dihet, pleq jemi dhe ndoshta nuk mund ta festoj 80 vjetorin. Megjithatë mbahem mirë dhe për këtë jam i kënaqur. Sa për ndonjë plan që klubi Vllaznia apo Bashkia të ma festojnë këtë përvjetor të 75-të, nuk ka patur asnjë lëvizje. Mendoj se këto institucione duhet të bëjnë diçka për të na nderuar ne që kemi kontribuar jo pak për to në vite sepse duke na nderuar ne, nderojnë veten”- ka thënë mjeshtri Radoja. Po kush është Renato Radoja? Besoj se të gjithë e njohin këtë emër, një nga më të mëdhenjte e basketbollit shkodran dhe shqiptar. Për më tepër, që vetë mjeshtri thotë se ka 60 vite që kontribuon për sportin dhe basketbolli për të ka qenë pjesa më e rëndësishme e jetës. “E kam filluar sportin plot 60 vite më parë. Fillimisht si atlet duke marrë pjesë në disa gara shkollash drejt kalasë dhe më pas duek kaluar tek basketbolli, sport të cilit nuk i jam ndarë asnjëherë. Edhe sot e kësaj dite vazhdoj të punoj si trajner duke ndihmuar Xhuli Shestanin me ekipet e të rejave dhe paratërejave. Basketbolli është pjesa më e rëndësishme e jetës time dhe deri sa të kem forcë nuk do heqë dorë prej tij”- ka thënë ai. Renato Radoja këtë të premte ka festuar 75 vjetorin e lindjes. Ky përvjetor e ka gjetur të fortë, aq sa çdo ditë është në stërvitje sërish dhe kuptohet që të tilla figura, meritojnë më shumë respekt, nga të gjithë ne, por natyrisht edhe nga strukturat e sportit që e kanë për detyrë një gjë të tillë.
Gjergj KOLA