Ishte tetori i vitit 2011-të, teksa në “Loro Boriçi” do të luhej klasikja e Shqipërisë. Vllaznia e Mirel Josës priste Tiranën e spanjollit Julian Rubio, ndeshje e vlefshme për Kategorinë Superiore. Kohërat kanë ndryshuar shumë, por në atë periudhë të dy ekipet kishin yje në organikat respektive.
Mjafton të përmendësh Sukajn dhe Vajushin në radhët e shkodranëve apo Balajn dhe Klodian Duron që luanin për bardheblutë e Tiranës. Në një stadium të tejmbushur, ndeshja nis me ritëm. Fillimisht janë kuqeblutë ata që japin shkëndijat e para.
Me një Sukaj në super formë, shkodranët tentojnë të ndryshojnë shifrat që në fillim. Megjithatë 45 minutat e para mbyllen pa gola. Fraksioni i dytë i lojës prodhon spektakël dhe plot 4 gola. Janë vendasit që kalojnë në avantazh me Xhevahir Sukajn që shënon një “perlë” nga një distancë e konsiderueshme. Skuadra e Josës merr zemër dhe pak minuta më vonë është Popoviç që mundohet të “kopjojë” shkodranin me një tjetër super gol.
Trajneri i Tiranës kurrsesi nuk pajtohet me rezultatin dhe në fushë hedh “karta të reja”. Duhej të vinte asisti i Gerald Tushes për Mario Morinën, që ky i fundit të ngushtonte diferencat. Klodian Duro merr përsipër organizimin e mesfushës së Tiranës.
Mosha për të duket se është thjesht një numër, pasi me klasin e tij arrin të shmangë çdo kundërshtar duke realizuar golin e barazimit 2-2. Sa shumë emocione, sa shumë klas dhe mbi të gjitha: Çfarë përballje emocionuese në kampionatin shqiptar.
Në fundjavë luhet sërish klasikja e futbollit shqiptar. Por prej asaj kohe, kanë ndryshuar shumë gjëra. Emrat e sipërpërmendur, disa e ka lënë futbollin, të tjerë kanë zgjedhur të luajnë në Europë./newsport/