Lionel Messi, fitues i Kupës së Botës 2022 me Argjentinën dhe një nga futbollistët më të mëdhenj në histori, ka komentuar mundësinë e pjesëmarrjes së tij në Botërorin 2026.

Në një deklaratë të fundit, Messi ka ndarë emocionet dhe motivimin që ndjen për sezonin e ri, duke lënë të hapur mundësinë e një tjetër Botërori në karrierën e vet: “Kupa e Botës 2026? Unë sapo e kam filluar vitin. Siç them gjithmonë, sinqerisht, e kam nisur 2025 me një ndjenjë shumë të madhe emocioni dhe motivimi”.

Deklarata e tij tregon se ylli argjentinas është i fokusuar në sezonin aktual, por nuk përjashton një tjetër kapitull në karrierën e tij ndërkombëtare.Për Messin, pjesëmarrja në Kupën e Botës 2026, që do të zhvillohet në SHBA, Meksikë dhe Kanada, mund të jetë një sfidë e rëndësishme, veçanërisht duke marrë parasysh moshën e tij.

Në atë kohë, Messi do të jetë 39 vjeç, por përvoja dhe aftësitë e tij e bëjnë ende një lojtar kyç për kombëtaren argjentinase.Pas suksesit historik në “Katar 2022”, ku Argjentina fitoi Kupën e Botës, pas një pauze prej 36 vitesh të Albiceleste, 8 herë fituesi i “Topit të Artë” u shpreh se ishte momenti më kulminant i karrierës së tij.

Edhe pse kishte deklaruar se ky trofe ishte ëndrra e tij më e madhe, pas triumfit në Katar, shumë tifozë dhe ekspertë kanë shpresuar që Messi të vazhdojë ta përfaqësojë Argjentinën në nivelet më të larta.

Aktualisht, Messi luan tek Inter Miami në MLS, ku ka fituar “Leagues Cup” dhe ka ndikuar ndjeshëm në rritjen e interesit për futbollin në SHBA. Forma e tij fizike dhe energjia që shfaq në fushë tregojnë se ka ende shumë për të dhënë.

Tifozët argjentinas dhe ata të futbollit në mbarë botën do të presin me padurim vendimin e tij për pjesëmarrjen në Botërorin e ardhshëm, i cili mund të jetë një lamtumirë madhështore për një nga lojtarët më të mëdhenj që ka parë futbolli ndonjëherë.