Nga Maringlen ZHIVANI
Kevin Dodaj është kthyer në një titullar të padiskutueshëm te skuadra e Vllaznisë këtë sezon. Anësori 19-vjeçar ka spikatur me paraqitjet e tij dhe tashmë ka përfunduar në shënjestrën e disa klubeve të huaja.
Në orët e fundit, francezët e Lens janë futur në garë për ta bërë të tyre talentin e Vllaznisë. Në fakt, Dodaj vlerësohet shumë nga drejtuesit e Lens, të cilët e konsiderojnë blerjen e tij si një investim të goditur për të ardhmen.
Megjithatë, përveç francezëve të Lens, interesim për Kevin Dodajn kanë shfaqur edhe klube të njohura europiane si Anderlecht, Sassuolo, Kolos Kovalivka në Ukrainë dhe Vejle në Danimarkë.
Dodaj shihet si një talent premtues me një shpejtësi të jashtëzakonshme, teksa këtë sezon me Vllazninë ka shënuar katër gola dhe ka dhënë dy assiste në 19-paraqitje me kuqeblutë.
Kartoni i Dodajt, sipas faqes së specializuar “Transfermarkt” llogaritet rreth 350-mijë euro dhe tashmë u takon drejtuesve të Vllaznisë të vendosin për të ardhmen e talentit 19-vjeçar, i cili në fakt duhet thënë se është bërë shumë i kërkuar në këtë afat kalimtar./shkodrasport.com/