Sigurisht që nuk është shumë logjike një pyetje e tillë për një trajner dhe një skuadër futbolli por tek Vllaznia duket se trajneri I saj Shpëtim Duro nuk ka shumë autoritet mbi skuadrën. Në ndeshjen ndaj Luftëtarit një javë më parë pati një polemikë të vogël mes tij dhe mbrojtësit Osmani që deshi të gjuante 11-metërshin por Duro vendosi për Smajlin dhe kjo gjë shkaktoi njëfarë qejfmbetje tek lojtari I cili kërkoi zëvendësim, gjoja për një dëmtim të vogël. Ndërsa në ndeshjen e fundit me Apoloninë, problemi doli tek ekzekutimi I goditjeve standarte. Mjaftonte dhënia e një goditje dënimi nga gjyqtari në favor të Vllaznisë në hyrje të zonës së kundërshtarit dhe tek topi vraponin menjëherë 3-4 futbollistë. Belisha, Deliç, Beqiri por edhe ndonjë tjetër, shprehnin dëshirën për ta ekzekutuar atë.

Shpeshherë krijohej një rrëmujë e vërtetë aq sa në një moment gjatë pjesës së parë, trajneri Duro urdhëroi Beqirin të mos e gjuante një goditje dënimi por ai e gjuajti sërish. Rrëmuja e krijuar në gjuajtjen e këtyre goditjeve ndoshta ka ardhur ngaqë trajneri nuk ka caktuar një futbollist që të merret me to. Përpos kësaj, ajo që ka bërë përshtypje sidomos në pjesën e dytë ka qenë qëndrimi I mbrojtësit shtatëlartë Osmani në gjysmëfushën e tij sa herë që Vllaznia kishte ndonjë goditje këndi apo standarte në zonën e Apolonisë. Në raste të tilla shtatëlartët shkojnë në zonat kundërshtare por në këtë ndeshje nuk ndodhi kështu me këtë futbollist. Mund të jetë edhe ndonjë rast tjetër që ka rënë në sy gjatë ndeshjes dhe kjo ka bërë që të lindë pyetja: A e ka autoritetin e duhur në skuadër trajneri Duro?

www.shkodrasport.com