Vllaznia luajti dje kundër Partizanit (0-0), ndeshje e vlefshme për gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë. Një sfidë që prodhoi polemika të shumta për shkak të anulimit të golit të shkodranëve në minutën e fundit të takimit. Ante Aralica realizoi me kokë në minutën e 93-të, por në mënyrë të pakuptimtë VAR-i thirri gjyqtarin kryesor Olsid Ferataj me pretendimin se kishte faull në zonë.

Nga pamjet filmike shihet se ka një kontakt të Aralicës me qendërmbrojtësin Belica, por duhet theksuar se sulmuesi i Vllaznisë i merr kohën dhe arrin të shënjestrojë bukur me kokë. Lojtari i Partizanit nuk kërcen aspak, por për Ferataj ky është faull dhe duhet anuluar.

Nga ana tjetër tek të kuqtë pretendojnë se faulli është shkaktuar ndaj Matondos. Në fakt mesfushori i Partizanit nuk ndërhyn aspak në aksion dhe nga ana e tij nuk shihet të ketë pretendime në momentin e golit të shënuar nga Vllaznia. Te Partizani, si trajneri Mehmeti ashtu edhe drejtori sportiv Olsi Rama u shprehën si faulli ishte pikërisht ndaj afrikanit.

Ndeshja u luajt në Elbasan ku u vërejt se tifozët shkodranë ishin aktivë gjatë gjithë 90 minutave. Pavarësisht largësisë me Shkodrën, ata nuk e tradhtuan ekipin e tyre por qëndruan besnikë deri në fund të takimit. Pikërisht mbështetësit e skuadrave janë ata që dhurojnë spektakël në çdo ndeshje të kampionatit shqiptar, pasi loja në fushë asnjëherë nuk ngrihet në nivelin e tyre.

Të gjithë e dijnë se në Shkodër mund të shijosh një ndeshje futbolli, jo vetëm për kushtet që të ofron “Loro Boriçi”, por edhe mikpritjen e tifozëve vendas. Janë ata që mbahen mend në historinë e futbollit shqiptar që duartrokasin gjithmonë kundërshtarin kur fitorja e tyre vjen me mund e djersë.

Por, kur një gol i anuluar nxit kaq shumë polemika, si mund të pretendosh një stadium të mbushur në ndeshjen e kthimit? “Veç n’kjosh i marrun me i boshatis ved tribunat. Andaj asht koha që lene ta tundim djepin e futbollit shqiptar për t’na pasurue me filizat e reja të tyne. Djersa është e tynja, hajde t’i rrahim shplakat se e meritojnë”/ Marre nga newsport.al, shkruar nga Retin TOKA/