Opinion nga RAMADAN BIGZA

Në fakt ajo, që ndodhi në Korçë nuk është një “tërmet” në kuptimin shkatërrues por një absurd i tipit Made in Albania, që e ndesh thuajse në të gjitha klubet tona. Them është një absurd sepse askush nuk po merr vesh si është e vërteta. Trajneri thotë se presidenti nuk I ka thënë gjë fare për pezullimin edhe pse ka biseduar direct me të, ndërkohë që një gjë të tillë ia ka thënë sekretari I klubit, i cili pak më vonë ishte shkarkuar .

Zëvendëspresidenti edhe pse përflitet nga mediat se është larguar e mohon vetë një gjë të tillë. Edhe pse flitet prej disa ditësh për të ashtuquajturin “Tërmet” të rënë në Korçë, ka gjasa që lëkundjet e tij të mos jenë ndjerë as në vendin e quajtur sizmik. Një nga arsyet që përfliten është se në media kanë dalë gjëra të brendëshme, që në klub  duhen mbajtur sekret. Po a mund të mbahen sekret problemet e merkatos. Për merkaton flitet në çdo klub të botës, madje në shumë raste shumë nga ato që fliten edhe nuk realizohen. Por në asnjë rast nuk kemi dëgjuar të flitet për shkarkime të tilla, që më shumë u ngjajnë zhurmave sesa lëkundjeve të vërteta sizmike. Pak kohë më parë një specialist futbolli i akuzoi rëndë drejtuesit e klubeve të futbollit si të paaftë. Mund të jetë edhe kështu. Por rezultatet e viteve të fundit të Skënderbeut zhvlerësojnë çdo mendim të tillë.Mos vallë kjo vjen nga zilia që kanë të tjerët për rekordin absolut të skuadrës korçare në këtë fazë të parë. Mundet. Por çudia është se fjalët nuk kanë dakë nga klubet rivalë, të paktën si një apo dy vjet përpara kur dyshohej për favorizim të ndeshjeve. Fjalët, që u pagëzuan si “tërmet” kanë dalë brenda klubit. E kur të gjithë bëjnë të paditurin apo shprehin habinë për ato që kanë dëgjuar, m’u kujtua një shprehje që e kam lexuar diku por që lidhet pikërisht me rastin Skënderbeu: “Poshtërsia përdor gjithë arsenalin e vet për të rivalizuar madhështinë, ndërsa kjo e fundit, shpërdoron tërë urtësinë për të besuar alibinë”.A është kështu?. Nuk e di. Populli thotë “luga e din se çfarë ka vekshi”.
Por një gjë është krejtësisht e qartë. Futbolli ynë po përjeton një nga krizat e tij më të mëdha. I zhvilluar mes tribiunave të boshatisura, pa asnjë nivel tekniko-taktik, ku mungon dukshëm elementi talent ai na e ka kthyer kënaqësinë në mërzi.Si për të mos mjaftuar këto që thamë, vjedhja e ndeshjeve mes manipulimeve të ndryshme është kthyer nga një ves i dikurshëm në profesionalizëm.Fakti që brenda një periudhe prej dy vitesh e gjysmë, në Shqipëri dyshohet se janë manipuluar 97 ndeshje futbolli, përfshi kampionat dhe kupë, tregon se nuk kemi të bëjmë më me futboll por me biznes.
E pra nuk ka qenë kështu më parë.
“Futbolli ? … Eshtë më shumë se një jetë”. Kështu pat shkruar dikush vite më parë. A kishte të drejtë?, mendoj se po. Dhe per këtë shembujt janë të shumtë.
Imagjinoni çfarë sedisfaksioni moral e shpirtëror ka ngjallur në mbarë vendin tonë ajo e fitore e madhe  e Ballkaniadës së vitit 1946. Imagjinoni çfarë sedisfaksioni moral na kanë dhënë ndër vite ato ndeshje të pashlyera të kombëtares, ato sportistë të mrekullueshëm, që veç qëllimet e larta sportive i kanë çuar deri në sakrifica. Kujtoni ato stadiume të mbushur plot e përplot, ku edhe një vit i mbrapshtë si 1997-ta nuk ka arritur ti zbrazë.
Kujtoni pak atë moment emblematik të ish trajnerit të kombëtares sonë Medin Zhega në një ndeshje Gjermani-Shqipëri, ku skuadra jonë po luante si e barabartë me kundërshtarin në një ndeshje të paharruar nën reshjet e shiut. Kujtoni pak ato çaste të paharruara që kemi përjetuar pas fitoreve me Rusinë e Greqinë. Kujtoni ceremoninë madhështore që Hanoveri i bëri para pak kohësh futbollistit tonë Altin Lala. Kjo është në fakt një pjesë e bukur e jetës së futbollit.
Ndërsa, siç shkruam më sipër, futbolli dikur ka qenë vetë jeta, sot me këtë sport po buzohet aq shumë saqë dashuria pse jo , duhet pranuar se është kthyer në urrejtje. Shembullin më të qartë e japin tifozët, këta dashnorë të të zjarrtë të futbollit, të cilët i kanë brakstisur tribunat e stadiumeve. Por a mund të shijohet një ndeshje pa tifozë?. Kurrsesi jo. Një ndeshje pa tifozë i ngjan një dasme pa dasmorë.
Po flitet shumë për situatën e rëndë që po kalon Vllaznia. Në fakt kjo situatë nuk është vetëm në Shkodër por edhe në Tiranë, në Durrës, në Fier, në Berat etj dhe kohët e fundit plasi edhe në Korçë, në qytetin që në këta tre vitet e fundit ka kapur me meritë majen e futbollit tonë. Të gjitha këto e rëndojnë edhe më shumë situatën edhe ashtu të rënduar të futbollit tonë. Por dua të pyes nëse u ndien në Shkodër ballët e këtij “tërmeti” i magjinar. E pra në qytetin e futbollit ka ndodhur absurdi i radhës.Kam qenë në qytetin tim një ditë gushti kur nuk kishin mbetur as 10 ditë nga fillimi i kampionatit, faza e parë e të cilit përfundoj para disa ditësh. Ishte një kohë kur të gjithë ishin të kënaqur me trajnerin Duro dhe në media të ndryshme deklarat për të dalur edhe kampion ishin me shumicë. U fol për një mbështetje të madhe të Bashkisë ndaj trajnerit, madje u tha se për të realizuar objektivat është dhënë një fond prej 800 milionë lekësh.Këtu filloj shpërdorimi i detyrës. Vllaznia bëri një merkato të çuditshme. 12 apo 13 lojtarë u bënë pjesë e saj ndërkohë që të tjerë futbollistë të talentuar deri atëherë si Sykaj, Gocaj, Hasani etj u larguan dhe të tjerë të rinj 18-vjeçarë, që deri atëherë ishin shpresëdhënës nuk u panë më të veshin fanelën e Vllaznisë. A mund të ndodhte kjo? Sigurisht që jo. Vllaznia nuk ishte si të themi Memaliej. Vllaznia ka historinë, traditën e vet dhe fatmirësisht ka një akademi që prodhon nga viti në vit futbollistë cilësore. Për më shumë, është vetë Shkodra një “tokë pjellore” për futbollistë të talentuar. Por të gjitha këto nuk kanë mjaftuar për ti mbushur mëndjen trajnerit dhe stafit drejtues të Vllaznisë. Për mendimin tim tim, që këtu duhej të ishte bërë ndarja mes tyre Vllaznisë. Mirëpo kjo nuk ndodhi. Ndaj kemi ardhur në ditët tona kur Vllaznia nuk është më pretendente për titull por ka humbur edhe të drejtën e vazhdimit të ndeshjeve për Kupën e Republikës. Thënia e fundit e trajnerit, cituar nga media të ndryshme se “Refuzova Kukësin për të drejtuar Vllazninë” kalon çdo cak dhe e bën si të thush të detyruar tashmë divorcin mes tyre. Ndaj pyes se a është ndjerë në Shkodër “tërmeti” që ra në Korçë?