Kohët kur klubet angleze shpenzonin shifra të çmendura për të blerë futbollistë mesatarë duket se do të harrohen për disa kohë. Ka qenë vetë presidenti i Federatës Angleze, Greg Klark, ai që ka argumentuar se kriza financiare aktuale do të vinte në rrezik strukturën e futbollit në vend, pasi rrezikohet falimentimi i klubeve apo edhe ligave të tëra.

Disa klube kanë kaluar pjesëtarët e stafeve të tyre në skemën e asistencës shtetërore gjatë periudhës së koronavirusit, por Klark insistoi se këtë peshë të rëndë duhej ta ndanin të gjithë.

“Futbolli përballet me sfida ekonomike që shkojnë përtej imagjinatës më të çmendur të atyre që e drejtojnë. Pandemia do të ndiqet nga pasoja ekonomike dhe të gjithë sektorët e ekonomisë do ta vuajnë.

Ne përballemi me rrezikun e humbjes së klubeve dhe ligave, si pasojë e kolapsit financiar. Shumë komunitete mund të humbasin klubet që kanë për zemër, me shanse të pakta për t’i ringjallur.

Përballë kësaj sfide pa precedent, të gjithë pjesëtarët e kësaj loje, nga lojtarët të tifozët, klubet, pronarët apo administratorët, duhet të marrin masa dhe të ndajnë dhimbjen për të mbajtur gjallë këtë lojë. Të gjithë duhet të kuptojnë se klubet e Premier Ligës nuk janë imunë nga impakti dhe ndonëse do të ndikohen në shkallë të ndryshme në varësi të bazës së shpenzimeve që kanë, impakti potencial i përgjithshëm financiar është shumë i madh”, theksoi Klark në këtë apel të tij, duke paralajmëruar se futbolli anglez do të pësonte transformim radikal. /vipsport/