Ekipi i femrave i Akademisë AAS ka qenë surpriza e javës së pestë të kampionatit kombëtar. Ai ndonëse ka luajtur në transfertë, ka arritur të fitojë ndaj një ekipi pretendent siç është Kinostudio, në një takim që ka dhuruar plot 8 gola dhe që në fund është fituar nga shkodranet 5-3.
Mbase dikush mund ta quajë surprizë por në fakt nga mënyra si është zhvilluar loja, nuk është aspak e tillë. Vajzat e drejtuara nga trajneri Malvin Meçenoci kanë dominuar ndeshjen dhe e kanë merituar plotësisht fitoren.
Ato kanë kaluar të parat në avantazh me anë të Armokut në minutën e 5-të dhe pas një çerek ore po kjo lojtare do të shënonte edhe golin e dytë për AAS. Megjithatë Cyme Lulaj do të rihapte ndeshjen dhe do të ngushtonte shifrat në minutën e 32-të.
Pjesa e parë kësisoj do të mbyllej 2-1 për AAS. Në të dytën Armela Tukaj do të shënonte golin e tretë në ’54 dhe Armoku të katërtin shtatë minuta më vonë. Duket se ndeshja do të mbyllej këtu por vendaset nuk janë dakord.
Një autogol i Sefës dhe më pas goli i Maxhalakut do të ngushtontë shifrat në 4-3 duke krijuar iluzionin se do të përsëritej ajo çfarë ndodhi pak javë më parë kur Juban Danja udhëhiqte ndaj Kinostudios 3-1 por kjo e fundit e barazoi ndeshjen në 3-3.
Megjithatë këtë herë ishte tjetër gjë. Për AAS do të mendonte 16 vjeçarja Iris Armoku që në minutën e 71-të do të shënonte sërish, golin e pestë për skuadrën e saj dhe të katërtin personal duke mbyllur kësisoj ndeshjen në shifrat 5-2.
Me këtë fitore, AAS ngjitet në kuotën e 9 pikëve duke mbajtur vendin e gjashtë në renditje. Fitorja e sotme ndaj Kinostudios padyshim që do ta motivojë atë për t’u ngjitur më shumë në renditje, ndonëse mosha mesatare e ekipit është e re dhe lojtaret e tij janë pa shumë përvojë.
© shkodrasport.com