Elbasani mori një pikë mes shumë vuajtjesh kundër Vllaznisë të dielën në “Elbasan Arena”, me sfidën që u mbyll pa gola. Kjo pikë nuk i dha mundësinë të ngjiteshin në krye, por gjithsesi i mban në “vallen” e skuadrave që pretendojnë “Final 4”. Ndonëse shkodranët goditën dy herë shtyllën dhe po kaq herë traversën, nuk ia dolën dot që të kalonin portierin Razak Abalora, i cili për Elbasanin është kthyer në një siguri më vete sa i përket prapavijës. Shifrat e tij me shtyllave në Elbasan janë mbresëlënëse, sepse nga pesë ndeshje të zhvilluara, ka pësuar vetëm një gol në barazimin me Tiranën, duke e mbajtur portën të paprekur në katër takime.
ABALORA – Në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport”, përpos “peripecive” të hequra përgjatë 90-minutëshit, ganezi i katërkëndëshit elbasanas nuk është i kënaqur me barazimin, pasi shprehet se synonte fitoren. Ai i konsideron shtyllat pjesë të lojës, ndërsa vlerëson shkodranët si kundërshtarin më të fortë që është hasur Elbasani deri më tani.
“Të them të drejtën barazimi nuk më kënaq, pasi synonim ta fitonim ndeshjen. Vërtet ata bënë katër shtylla, por edhe kjo është pjesë e lojës, ndaj nuk mendoj se ishim me fat. Mendoj se kundërshtari më i fortë që jemi hasur deri tani, është pikërisht Vllaznia”, u shpreh fillimisht 28-vjeçari.
Ai pret gjithnjë paraqitje të mira nga vetja e tij për të mbajtur portën sa më gjatë të paprekur, ndërsa beson se ekipi ka bërë përparime dhe duhet të vazhdojë në këtë rrugë.
“Personalisht pres gjithnjë paraqitje të mira, sepse vazhdimisht bëj maksimumin tim në stërvitje. E rëndësishme është që skuadra ka bërë përparime dhe ne duhet të vazhdojmë në këtë rrugë”, vijoi më tej portieri i Elbasanit, që deri më tani ka luajtur 450 minuta me verdheblutë.
KOMBËTARJA – Abalora vjen në Elbasan dhe kampionatin shqiptar si një ish-futbollist i Kombëtares së Ganës, një prej përfaqësueseve më me emër në Afrikë. Për fat të keq, ai nuk është grumbulluar më nga kjo Kombëtare, me të cilën ka luajtur në katër takime, por me paraqitjet e tij këtë sezon shpreson për një ftesë në të ardhmen. “Siç e dini, unë kam qenë më herët te Kombëtarja. Por shpresoj që të marr sërish një ftesë nga vendi im”, përfundoi Razak Abalora, i cili ka rënë menjëherë në sy në kampionatin shqiptar për cilësitë e tij në katërkëndësh, duke pësuar vetëm një gol në pesë takime.