Ka optimizëm te Bylisi, edhe pse situata në renditje është shumë e vështirë. Presidenti Besnik Kapllanaj ka inkurajuar lojtarët të shohin përpara, duke nisur nga ndeshja me Vllazninë, ku të gjithë presin me padurim fitoren e munguar.
Asgjë për të humbur nuk kanë ballshiotët dhe sot do t’i shkarkojnë të gjitha “bateritë” për të marrë 3 pikët. Kapiteni Marin Abazaj karikon shokët e skuadrës për sfidën me Vllazninë dhe në anën tjetër presion për një gjykim më korrekt. Në intervistën për “Panorama Sport” Abazaj analizon situatën te Bylisi dhe thekson se sot duhet fitorja me çdo kusht.
Abazaj, Bylisit po i mungojnë rezultatet pozitive këto javë. Çfarë po ndodh me këtë skuadër?
Po, ka një ngërç dhe kemi kohë që punojmë shumë për ta kaluar. Kush e pa sfidën me Egnatian, që është një nga ekipet më të mira, e kuptoi që kemi qenë më lart. Luajtëm me nivel të lartë, por nuk morëm pikë.
Sepse po ju mungon goli…
Kjo është një tjetër çështje. Në fakt, duhet të jemi më elastikë me rëstet që na krijohen, sepse ka ekipe qe na e nxjerrin golin nga hiçi. Duhet që të shfrytëzojmë rastet, pasi mendoj se kemi kapacitet edhe në sulm si skuadër. Në momentin që do të zhbllokohemi, kam përshtypjen që nuk do ndalemi më. Por duhet ta bëjmë sa më shpejt.
Tani në Ballsh vjen Vllaznia, një tjetër skuadre kryesuese. Një kalendar delikat për ju?
Me këtë format të kampionatit, kështu do të jenë ndeshjet. Vërtet kemi disa javë delikate, por në një kampionat me 10 skuadra ndodh që të luash me 3-4 pretendentë radhazi, është normale. Vllazninë e respektojmë, por na duhet patjetër fitorja. Mjaft gabuam, nuk mund të hedhim më hapa falsë. Bylisi nuk e meriton të jetë në vend të fundit.
Vllaznia është skuadër e fortë, do të ishte mirë edhe barazimi për Bylisin në këtë rast?
Patjetër do të luajmë për ta fituar ndeshjen. Kemi forcë si grup dhe nuk mund të kënaqemi me një pikë. Këtë e kemi të qartë të gjithë, duke ditur pozitat në këtë moment. Hyjmë në fushë të mobilizuar për fitore.
Keni pasur rezerva për gjykimin në disa ndeshje. Ju si kapiten, çfarë keni biseduar me ta në fushë?
The
Nuk dua të merrem me gjykimin, por e vërteta duket. Na u mohua penallti kur loja ishte 0-1 ndaj Egnatias. Penalltinë e kundërshtarit Laver Alla e dha menjëherë, kurse rastin tonë nuk e analizoi saktë as ai dhe as VAR-i. Mbase ndeshja mund të shkonte ndryshe, ajo që na takon duhet të na jepet. Kishte dyshime edhe për një rast të Egnatias, le ta shihte edhe atë, patjetër. Por jo dy standarde. Edhe me Dinamon Alla na anuloi gol. Janë disa gjëra që duken hapur.