Trajneri i Partizanit, Arbër Abilaliaj, ka theksuar se ekipi nuk ka bërë sa duhej për të marrë tre pikët me Teutën në barazimin pa gola ndaj durrsakëve.
“Pritshmëritë ishin të larta duke pasur parasysh që vinim nga rezultat pozitiv e donim të vazhdonim. E kishim përgatitur duke e ditur që Teuta do mbrohej me forca të shumta e do ishte e vështirë të luhej në linja qendrore. Vendosëm të luanim në anësore, për të krosuar apo krijuar në situata një kundër një. Na mungoi pak edhe freskia për një pjesë të madhe të lojtarëve, për lojtarët që kanë mbajtur peshën në këto minuta, por edhe kualiteti në metrat e fundit. Rrezikuam në goditjet standarte me shtalartësinë, por me topin poshtë kishim mundësi të bënim më mirë. Në pjesën e dytë rregulluam diçka, por në metrat e fundit na mungoi ajo që duhej për të shkuar te porta.
Kote na prishi goxha planin se është i vetmi nga futbollistët që në sipërfaqe të vogël është shumë e vështirë për ta markuar. Ishim të detyruar pas një dëmtimi me Vllazninë, edhe Taipi ka vuajtur një dëmtim dhe lodhje fizike. Por gjithsesi, e thashë që më shumë na penalizoi dëmtimi i Kotes, duke pasur parasysh aftësitë që ka në sipërfaqe të vogla. U munduam të rregullojmë në pjesën ë dytë me gjerësi me Zekën, por në metrat e fundit, pavarësisht se tentuam, kishte qarkullim shumë larg portë tonë, duhet të ishim më të qartë e cinik para portës.
Në krahun e majtë u munduam duke shfrytëzuar Kekon e Bitsuka, që mund të ishin në linja qendrore, në thellësi dhe krosimet. E bëmë më mirë në krahun e djathtë se në pjesën e parë Kote, Janjeva e Padstrelau shkuan në thellësi dhe krijuan çbilancim të mbrojtjes së Teutës. Por nuk arrinim të merrnim ritëm se kishte gjithë kohës faulle e ndërprerje loje. Një pjesë e lojtarëve vuajnë pak edhe formën më të mirë, Mehmeti tani po mundohet të marrë formë, Kote po mundohet të bëjë ndeshje me radhë e prapë i ndodhi dëmtim. Taipi po mban një barrë gjithë këto ndeshje me radhë. Na mungoi pak pjesa e freskisë fizike, se për mënyrën se si rrodhën ngjarjet në pjesën e dytë, u munduam të kompensonim, por ishte pak. U munduam të freskonim mesfushën, duhej të bënim më mirë, vraponim më shumë. Vendosa në fund edhe Eleke e Bintsukën, por kroset nuk erdhën siç duhet.
Nëse do ishim treguar më agresiv në ritëm e intensitet, se ishte një ekip që nuk zhvendosej pothuajse asnjëherë poshtë, nëse do kishim freski e intensitet për 90 minuta, besoj se do të kishim më shumë mundësi. Problemi është që edhe në pjesën e dytë kur u dhanë mundësitë, kemi gabuar në pasimin e fundit. Të paktën sot nuk kemi rrezikuar asgjë në fazën mbrojtëse dhe reparti u përgjigj më së miri, jam i lumtur duke pasur parasysh çfarë kemi hequr në ndeshjet e kaluara. Në mesfushë duhej të ishim më të qartë e do kishim rotacione më shumë. Hera-herës jemi nxituar e nuk kemi bërë zgjidhjet e duhura para portës. Por me gjithë kondicionimin e lojtarëve nga aspekti fizik apo me dëmtime në këtë ndeshje, nuk mund të them se nuk jam i kënaqur për mënyrën se si iu imponuam Teutës. Luanim në shtëpinë tonë, duhej të fitonim, sido të jenë rrethanat. Kur futesh për një ndeshje që duhet ta fitosh, patjetër duhet të krijosh më shumë.
Taipi mund të luajë në tre pozicionet e mesfushës. e kemi provuar si 6 për shkak të eksperiencës se duam ta nisim manovrën nga poshtë. Falë eksperiencës së tij, aftësisë që ka për t’u orientuar dhe për të futur të dy krahët në lojë siç duhet. Por është edhe pak zgjedhje për t’i dhënë pak më shumë liri e mundësi kur futet e luan Kote që nga fillimi. I japim mundësi t’i marrim më të mirën nga sipërfaqet që ai bën më mirë, bashkë me Mehmetin, se të dy kanë karakteristika të ndryshme. Por në zona të vogla mund të bëjnë probleme. Mendoj se konfigurimi i mesfushës, ka qenë ndoshta natyrale zbritja e tij duke parë edhe rrjedhën e ngjarjeve me Skënderbeun. Me atë që kisha perceptim në fushë, ishte ndoshta edhe çështje freskie dhe e përsërit që dëmtimi i Kotes na prishi plane, se është i vetmi që na krijon superioritetin numerik një kundër një”, tha ai për RTSH pas ndeshjes.