Pas barazimit pa gola në ndeshjen e parë, Partizani do të kërkojë fitoren ndaj Laçit në sfidën e kthimit në çerekfinalen e Kupë së Shqipërisë. Në këtë përballje, të kuqtë do të drejtohen nga drejtori sportiv, Arbër Abilaliaj, pas shkarkimit të trajnerit Aleksandar Veselinovic.
Abilaliaj falenderoi teknikun serb, ndërsa shtoi se do të ketë ndryshime për takimin ndaj kurbinasve. Sipas tij, disa ndeshje pa fitore kanë ndikuar në ekip, por theksoi se skuadra e ka kualitetin për t’ia dalë.
“Fillimisht do të doja të falenderoja trajnerin Aleksandar Veselinovic për punën që ka bërë deri më tani në klub. Për gjithë arritjet e tij përgjatë kësaj periudhe 6 mujore në klubin tonë. Përpara kemi një ndeshje shumë të rëndësishme dhe koha është relativisht e shkurtër. Patjetër që do mundohemi të kthehemi pak më shumë në disa dinamika, apo në disa profile që Partizani edhe si klub i ka patur këta lojtarë edhe e kanë treguar më përpara. Mendoj që 2-3 ndryshime në koncept besoj se do t’i kemi edhe në ndeshjen e nesërme.
Psikologjikisht nuk është asnjëherë mirë të mos fitosh, sepse fitorja krijon bindje, të jep siguri, krijon mekanizmat të cilat funksionojnë mirë. Patjetër që kjo nuk është nga situatat më të mira të mundshme, por gjithsesi unë mendoj dhe jam i bindur që i gjithë ambienti që punojmë këtu edhe futbollistët është një ekip i shëndetshëm.
Ndoshta ka vuajtur edhe presionet edhe ndryshimet që janë bërë, por mendoj që shumë shpejt do ta gjej rrugën drejt fitores sepse ekipi është, kualiteti është. E them edhe një herë që këta djem për mënyrën si stërviten dhe atë çfarë tregojnë në fushën e stërvitjes mendoj që i mungon vetëm të kthehemi te fitorja, të kthehet besimi sepse realisht është një grup shumë i mirë”, tha ai.
Abilaliaj u ndal edhe te numri i ulët i shënimit të golave, duke thënë se skuadrës i duhet kohë për tu përshtatur, për shkak të ndryshimeve të bëra.
“Mendoj që gjëja më kryesore në momentin që ndërton ose më saktë duhet të jemi koshient që jemi duke ndërtuar diçka të re, mekanizma të reja, një fytyrë tjetër pasi kanë ardhur edhe lojtarë të rinj. Duhet t’i përshtatemi edhe profileve dhe me mënyrën se cili profil dëshiron të luajë. Unë e kam thënë edhe më përpara se do të duhet një kohë tranzicioni për të krijuar një profil në qoftë se do të themi Partizani i ri. Jam po ashtu shumë i bindur që në momentin që do konsolidohemi dhe do krijohet profili i përshtatem për futbollistët që kemi në përbërje, mendoj që kualiteti në ekip është shumë i lartë.
Çështja e shënimit apo pësimit të golave të dyja si statistika nuk kanë qenë në favorin tonë, duke ditur që kemi qenë një nga skuadrat që deri dje kemi pësuar më pak gola në kampionat. Mendoj që thjesht është një moment reflektimi për të gjithë duke filluar nga ne të parët e deri te futbollistët më fund për tu fokusuar te gjërat që realisht dimë t’i bëjmë mirë”, deklaroi Abilaliaj.
Ndeshja Partizani-Laçi, do të luhet të Martën, duke nisur nga ora 17:00, në stadiumin “Arena e Demave” në kryeqytet.