Amir Abrashi ka qenë një ndër titullarët e padiskutueshëm në edicionin kur Shqipëria siguroi pjesëmarrjen në Europianin “Francë 2016”. Së fundmi, shqiptari është intervistuar nga faqja zyrtare e Frajburgut dhe ky eveniment i kuqezinjve ka qenë edhe pjesë e bisedës së mesfushorit me skuadrën e tij në Bundesligë. Momentalisht, Frajburg është në vend të tretë me vetëm një pikë më pak sesa kryesuesit bavarezë. Ja intervista e Abrashit në faqen e Frajburg:
Amir si thuhet në shqip “fillimi i ëndrrave”?
Qesh… Është një pyetje shumë e mirë (Abrashi ia thotë shqip).
Atëherë urime për këtë, sepse jeni në vend të tretë…
Në Bundesligë është e mundur gjithçka. Është mirë që jemi në vend të tretë, por shpejt mund të zbresësh edhe poshtë. Na presin ndeshje të vështira dhe pikë shumë të vlefshme.
Çfarë eksperience keni kaluar te Frajburg?
Kam mësuar që është e rëndësishme të luftosh deri në sekondën e fundit të një ndeshjeje dhe deri në takimin e fundit të një kampionati. Këtu kemi luajtur të gjithë si një grup i vetëm dhe kjo na ka dhënë sukses. Ndryshe nuk do të kishim arritur asgjë.
Sfida kundër Dortmundit…
Na duhet që të përdorim ndeshjet e deritanishme si mënyrë për të rritur vetëvlerësimin tonë. Sigurisht që na duhet të shënojmë përballë tifozëve tanë në këtë përballje. Dortmund është nën presion dhe ne nuk fshihemi përballë askujt. Gjithsesi, do të jetë e vështirë. Mbi të gjitha, e dimë që Dortmundi nuk na nënvlerëson. Por ndaj nesh, nuk e ka të lehtë askush.
Nga Zvicra U-21 te Shqipëria dhe në Europian…
Po, kam qenë pjesë e Zvicrës deri në U-21 e më pas kam përjetuar gjëra të shkëlqyera në Kombëtare. Në atë periudhë, Shqipëria më kërkoi me ngulm dhe më bënë pjesë të rëndësishme të një projekti. Donin që të bënin diferencën me mua dhe pranova menjëherë. Kemi bërë histori me kualifikimin në “Francë 2016”. Sa herë që e kam veshur fanellën e Kombëtares shqiptare ndihem mjaft mirë. Është një emocion i pastër. Kur sheh euforinë e tifozëve, atëherë ne japim shumë më shumë për ta. Ka qenë kënaqësi e jashtëzakonshme kthimi në Shqipëri pas Europianit.