Ekipi i parë i futbollit të femrave në vendin tonë, “Juban Danja” mund të mos marrë pjesë në kampionatin e ri. Një gjë e tillë konfirmohet për “Shkodra Sport” nga presidenti i saj Ferdinand Jaku sipas të cilit, FSHF po bën një organizim të ri të këtij futbolli, duke penalizuar disa nga ekipet që kanë mbajtur peshën e tij gjatë gjithë këtyre viteve.

Për rrjedhojë, pas 15 vitesh nga krijimi i saj, “Juban Danja” tashmë rrezikon pse jo edhe shkrirjen, ashtu si dhe disa ekipe të tjera të vendit. Ndiqni më poshtë intervistën me presidentin Jaku:

-z. Jaku, çfarë po bëhet me futbollin e femrave, jeni bërë gati për nisjen e kampionatit?

Në fakt, përpos problemeve në tërësi që po kalon futbolli ynë, ai i femrave ka edhe një problematikë të re që ka dalë në skenë kohët e fundit. Federata Shqiptare e Futbollit duke dashur të bëjë një organizim të ri, po synon që të gjithë ekipet e Kategorisë Superiore të kenë edhe ekipet e femrave në gjirin e tyre.

Por nga ana tjetër, numri i femrave që merren aktualisht me futboll në Shqipëri është ky që është dhe është e vështirë ta rrisësh menjëherë. Federata mendon që t’i klasifikojë ekipet në të Kategorisë Superiore dhe të Kategorisë së Parë. Kjo dëmton shumë ekipet që kanë mbajtur gjallë futbollin e femrave në Shqipëri dhe po ashtu kanë kontribuar edhe në krijimin e kombëtareve U16, U19 dhe atë të të rriturave.

Mendoj se Federata po penalizon ekipet që kanë bërë histori dhe për e është e vështirë brenda një kompeticioni të diferencuar. Këtu bëhet fjalë për ekipet Tirana AS, Juban Danja, Kinostudio si dhe disa ekipe të tjera që ndoshta nuk kanë patur cilësi dhe performancë të mirë, por kanë ndikuar në vazhdimësinë e futbollit të femrave.

Të gjithë këto ekipe penalizohen dhe në këtë mënyrë sipas informacioneve që kam unë, janë vetëm 5 ekipe të Superiores që kanë konfirmuar pjesmarrjen në kampionat!!! Me këtë numër është e vështirë të nisë një kampionat me kaq ekipe, ndërkohë që ne ekipet e kategorisë së parë që në fakt jemi më të rëndësishëm se shumë prej atyre të Superiores, deri më tani jemi në heshtje dhe kemi refuzuar pjesmarrjen në kampionat.

Shpresoj që Federata të na mirëkuptojë, të na japë mbështetjen e duhur sepse janë shumë vite që ne kontribuojmë për këtë futboll dhe nuk është në dëshirën tonë që futbolli të mbesë këtu, por nëse Federata nuk na mbështet, ka shumë mundësi që disa prej ekipeve të shkrihen pasi është e pamundur të vazhdohet kështu me këto financime.

– Pra, po thoni që “Juban Danja” nuk e ka konfirmuar pjesmarrjen në kampionat?

Dua të them se kam bërë një konfirmim fillestar por pas një komunikimi të dytë, u kam bërë të ditur përfaqësuesve të Federatës se nuk do të jem pjesë e kampionatit për momentin, derisa të sqarohet mbështetja financiare e cila u trumbetua me të madhe, por aktualisht penalizon ato klube që nuk kanë ekipe meshkujsh.

– Duket disi absurde sepse po flitet për një mbështetje të madhe të Federatës për ekipet, por në fakt po shtohen problemet, apo jo?

Mbase Federata beson tek ekipet e Superiores së meshkujve dhe mendon se ata mund të investojnë më tepër, megjithatë unë mendoj se presidentët e këtyre klubeve në momentin që do të shohin problematikat që ka futbolli i femrave, vështirësitë që ka ai, do të tërhiqen. E ka provuar më parë edhe Kukësi, edhe Skënderbeu duke krijuar ekipet e femrave por i mbajtën për një apo dy vjet dhe i shkrinë.Edhe ekipet e tjera besoj se do të hasin probleme.

-Pra, po thoni se në vend që të ketë progres, do të ketë regres tek futbolli i femrave?

Në një komunikim që kam patur me një nga drejtuesit e Federatës të caktuar për futbollin e femrave, Florian Rizën, i kam thënë se kjo që po bëhet është një riorganizim dhe kjo fjalë do të thotë se futbolli i femrave do të kthehet 15 vite prapa dhe kjo është në dëm të tij.

Aq më tepër që vajzat kanë disa muaj që stërviten, organizojnë ndeshje miqësore për të mbajtur formën e tyre sportive sepse periudha e pandemisë ka lënë pasojat e veta tek futbolli i femrave.

– A mund të themi se “Juban Danja”, ekipi i parë i futbollit të femrave, ekipi fitues i disa trofeve dhe protagonist i gjithë këtyre viteve, nuk është vlerësuar si duhet nga Federata?

“Juban Danja” nuk është vlerësuar dhe nuk është mbështetur ashtu si duhet sepse kemi vështirësitë tona. Ndodh kështu në një periudhe kur Federata me organizimin e ri, do të paguajë të gjitha vajzat por jo presidentët. Ne po kërkojmë që kjo pagë të jetë edhe më e madhe meqë është një projekt i tillë në mbështetje të futbollit të femrave./SHKODRA-SPORT.COM/