Vetëm 4 ditë përpara zhvillimit të saj, ndeshja Shqipëri-Izrael spostohet nga “Loro Boriçi” I Shkodrës në “Elbasan Arena”. Lajmin për këtë spostin e ka dhënë fillimisht vetë UEFA në faqen e saj zyrtare ndërkohë që më pas është konfirmuar edhe nga Federata Shqiptare e Futbollit. Diçka e pakuptimtë kur biletat kanë ditë që kanë nisur të shiten dhe po ashtu, ditën e djeshme por edhe sot, në Shkodër kanë qenë përfaqësuesit e UEFA-s të cilët kanë dhënë OK-in për luajtjen e ndeshjes aty. Por këtu duket se diçka ka ndodhur. Lajmet e ndryshme që kanë qarkulluar së fundi në lidhje me gjoja frikën e akteve terroriste apo dhe përmbytjet në Shkodër, duket se janë vetëm justifikime.
Burime pranë Federatës bëjnë të ditur se arsyeja e një spostimi të tillë të kësaj ndeshje në Elbasan mund të jetë një presion që FSHF po I bën Bashkisë Shkodër për firmosjen e kontratës së dhënies me qera të stadiumit “Loro Boriçi” këtij institucioni. Të tjera duken justifikime megjithatë pritet të shohim deri në fund sesi do të zgjidhet ky kaos. Pak ditë më pare FSHF rikonfirmoi me forcë, madje, përmes një deklarate për shtyp, se asgjë nuk ndryshon, që ndeshja në fjalë do të luhet në “Loro Boriçi”. Se çfarë ndodhi, këtë askush nuk e di me siguri. Nga Federata Izraelit ka informacion se kërkesën për ndryshimin e stadiumit e ka bërë vetë Federata Shqiptare e Futbollit por kjo e fundit, mjaftohet duke thënë se ndryshimin e ka bërë FIFA. Pista e akteve terroriste, meqë u arrestuan katër persona para dy ditëve, nuk duket e besueshme, sepse “Elbasan Arena” nuk ka siguri më të madhe. Përmbytjet duken një shkak, por sidoqoftë diçka jo e vogël ka kushtëzuar këtë spostim, kur dihet se janë shitur biletat. Dhe çfarë do të bëhet me ta, askush nuk e di, e po ashtu edhe me shumë rezervime hotelesh në Shkodër nga ana e tifozëve të kombëtare sonë.
© shkodrasport.com