Ndonëse për 5 muaj e qëndrimit pranë Vllaznisë nuk ka derdhur asnjë lekë në numrin e saj të llogarisë, kompania zviceriane “Gea Sport” përmes mashtrimesh duket se ia ka dalë jo vetëm që të mos paguajë gjë sipas kontratës që pat firmosur me Bashkinë Shkodër por edhe të kërkojë prej saj një dëmshpërblim prej rreth 74 mijë eurosh për shpenzimet e bëra!!! Se ku i ka bërë këto shpenzime një Zot e di ngaqë në bankë nuk ka derdhur asnjë lekë megjithatë ky është realiteti. Kompania në fjalë mësohet ta ketë çuar pretendimin e saj në Qendrën Shqiptare për Ndërmjetësimin e Arbitrazhit Tregtar e cila i ka dhënë pjesërisht të drejtë dhe ajo ka vendosur që duhet të jetë klubi shkodran që t’i paguajë kësaj kompanie një shumë prej 74 mijë eurosh, shto këtu edhe shpenzimet e procedurës së arbitrazhit që shkojnë në vlerën 2.600 euro dhe kësisoj shifra e detyrimit të klubit shkodran shkon diku tek 110 milionë lekë të vjetra. Qendra e Ndërmjetësimit një vendim të tillë ia ka dorëzuar edhe Qendrës Kombëtare të Biznesit për të bërë sekuestron mbi aktivet e shoqërisë aksionere Vllaznia e po ashtu, janë urdhëruar edhe të gjitha bankat e nivelit të dytë për bllokimin e llogarive të saj. Një çështje e tillë sigurisht që ka shqetësuar drejtuesit e klubit të cilët po e ndjekin me intenitet atë dhe përveçse nuk janë dakord, do të kërkojnë pse jo edhe dëmshpërblim nga “Gea Sport”. Për këtë arsye, Vllaznia është duke e ndjekur këtë çështje në shkallët e tjera të Gjykatës dhe ka besim se do ia dalë të marrë një vendim pozitiv sepse kompania zviceriane nuk ka zbatuar asnjë pikë të kontratës që pat firmosur në korrik të vitit 2014 teksa duhej të paguante çdo muaj 35 mijë euro në llogarinë e klubit shkodran për të ndihmuar në administrimin e tij. Këtë jo vetëm nuk e ka bërë por tashmë kërkon edhe dëmshpërblim dhe kjo përbën absurditet!
© shkodrasport.com