Në Shqipëri ka ndodhi nga më të ndryshmet. Të shumta janë ato që tregojnë për mosvlerësimin e duhur të sportistëve të nivelit të lartë. Jo më kot, shumë prej tyre tashmë ose e kanë lënë sportin ose janë larguar jashtë vendit.
Rasti më i fundit është ai i nënkampiones së Europës në boks, Elsidita Selaj. 18 vjeçarja ka mbaruar shkollën e mesme dhe këtë verë ishte rregjistruar për në degën e Edukimit Fizik në Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës.
Por këtu fillojnë problemet për këtë sportiste të talentuar. Për të fituar të drejtë e studimeve në këtë degë, duhen fituar normal në konkurrim. Por Selaj nuk ka arritur dot t’i marrë ato.
Jo se nuk ka marrë pikët e duhura por sepse nuk ka qenë e pranishme në Shqipëri atë ditë. Boksierja shkodrane pikërisht në fund të gushtit, kur dhe zhvilloheshin testimet, ajo ndodhej në Budapest të Hungarisë duke marrë pjesë në Kampionatin Botëror duke përfaqësuar Shqipërinë!!!
Për të fituar të drejtën e studimeve në këtë degë, nuk ka më asnjë shans sepse kuotat janë plotësuar dhe nuk më vend bosh. Po Elsidita vetëm këtë degë preferon dhe që ka lidhje me sportin.
Por deri më sot, e sheh veten jashtë Universitetit, pavarësisht se kemi të bëjmë me një sportiste të nivelit të lartë. Trajneri i saj Jetmir Kuçi e quan një padrejtësi që i bëhet kësaj boksiereje dhe për këtë arsye, i kanë shkruar edhe Ministrisë së Arsimit për të fituar një bursë apo një kuotë shtesë sepse në bazë të ligjeve tona, Selaj e përfiton një gjë të tillë.
Të mos harrojmë se kjo sportiste, vetëm pak ditë më parë mori nga Presidenti i Republikës flamurin shqiptar që ajo do të mbajë në duar në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike Rinore që do të zhvillohen në Argjentinë.
Shkodrania ka marrë flamurin dhe premton se do ta përfaqësojë denjësisht Shqipërinë edhe në këtë aktivitet, por Shqipëria në fakt nuk po bën asgjë për ta vlerësuar këtë sportiste.
Gjëja minimale që ajo kërkon është një bursë studimi për në degën e Edukimit Fizik në Universitetin “Luigj Gurakuqi”. Asgjë më shumë. Natyrisht që kaq gjë, ia kemi borxh asaj!
© shkodrasport.com