Për Velipojakët tashmë problemet financiare të sezoneve më parë duket se nuk do dëgjohen më. Ditë të mira duken në horizont për skuadrën e Adës. Fitoret në kampionatin e saponisur po shoqërohen edhe nga shpërblime financiare. Kështu, per fitoren e arritur javën e kaluar ne Burrel, donatori i kësaj skuadre Lazër Matia, e ka shpërblyer ekipin me 1 milionë lekë të vjetra. Paratë u janë shpërndarë futbollistëve menjëherë në dhomat e zhveshjes duke e bërë edhe më të këndshme fitoren me shumë vlera ndaj matjanëve.
Por shpërblimet nuk do ndalen këtu. Për ndeshjen e nesërme, atë shumë të rëndësishme me Besën që do luhet në fushën sportive “Adriatik” të Velipojës, mësohet se kryetari i Komunës Velipojë Pashko Ujka ka vënë në dispozicion të ekipit një shumë prej 2 milionë lekësh për fitore. Një shpërblim i tillë pritet t’i motivojë edhe më tepër velipojakët që e kanë nisur me shumë dëshirë këtë kampionat. Nuk përjashtohet mundësia që edhe donatorë të tjerë të vendosin edhe ato premio të tjera sepse të mundësh Besën nuk është gjë e vogël. Fitorja në javën e parë në Burrel ka rritur moralin e skuadrës dhe tashmë kërkohet edhe fitorja e dytë. Stafi drejtues i ekipit me shumë mundësi nuk do të bëjë asnjë ndryshim në formacion në krahasim me ndeshjen e javës së kaluar. Po ashtu, merret vesh se në Velipojë nesër, meqë është ndeshja e parë e kampionatit në këtë fushë, do të zhvillohet edhe një ceremoni e thjeshtë për lënien e futbollit dhe shkelmimin e topit të parë të kampionatit pikërisht nga presidenti i kësaj skuadre, njëkohësisht edhe ish-futbollist i saj Alfred Pjetri