Ndeshja e prapambetur e javës së 19-të të kategorisë së parë, ajo në mes Adës dhe Partizanit B, është mbyllur në barazim 2-2.
E luajtur në fushën sportive “Reshit Rusi”, kjo ndeshje i ka dhënë vetëm një pikë velipojakëve.
Madje, edhe ajo është arritur vetëm në minutën e fundit të takimit. Autor i tij është Mesi, sigurisht jo Lioneli i Barcelonës, por Arditi i Adës.
Ndeshja ka nisur mirë për të kuqtë që brenda 18 minutave kanë shënuar dy herë. Fillimisht me anë të Adalliut në ‘8 dhe dhjetë minuta më vonë, do ishte Kunanova ai që do të shënonte edhe golin e dytë.
U duk se ndeshja do të mbaronte këtu por jo. Aron Dibra do të ngushtonte shifrat në minutën e 33-të.
Pjesa e parë do të mbyllej me shifrat 2-1 për Partizanin B. Në të dytën ka shumë përpjekje të velipojakëve për golin e dytë por në fakt ai do të vinte vetëm në minutën e 90-të.
Autor i këtij goli me vlerën e një pike për Adën do të ishte pikërisht Ardit Mesi.
Skuadra bregdetare ngjitet në kuotën e 16 pikëve duke mbajtur sërish vendin e 11-të në renditje.
© shkodrasport.com