Skuadra kryesuese e kampionatit kombëtar të futbollit të femrave- Ada e Velipojës, ka arritur një tjetër fitore sot në kampionat. Në ndeshjen e luajtur ndaj ekipit të Kamzës, ajo ka arritur të fitojë me rezultatin e pastër 3-0. Ka qenë një takim i lehtë përgjithësisht teksa më shumë është zhvilluar një ndeshje kontrolli për të testuar veten në prag të sfidës shumë të rëndësishme të javës së ardhshme me Juban Danjën. Me fitoren e sotme Ada është ngjitur në kuotën e 28 pikëve pas 10 ndeshjesh kampionat. Kjo është fitorja e nëntë e vajzave velipojake, teksa kanë arritur edhe një barazim ndërkohë që nuk e njohin shijen e humbjes. Shumë pozitiv është edhe golaverazhi i kësaj skuadre me 54 gola të shënuar dhe vetëm 4 të pësuar. Natyrisht që sfida e vërtetë e këtij kampionati do të jetë ajo Juban Danja- Ada e javës së ardhshme që do të luhet në Shkodër dhe pritet me shumë interes sepse do të vendosë fatin e titullit kampion. Sigurisht që më e favorizuar është Ada e cila do hyjë në këtë ndeshje me dy rezultate teksa asaj i bën punë edhe barazimi, me të cilin do të ruajë diferencën prej dy pikësh me ndjekëseve më të afërt të saj.
www.shkodrasport.com