Java e parë e kampionatit ka dhuruar fitore të thella për dy prej skuadrave të Shkodrës. Kampionia në fuqi, Ada e Velipojës ka luajtur në Shkodër në javën e parë të kampionatit kombëtar të femrave dhe ka mundur thellësisht Dardaninë 8-0. Golat për ekipin e Adës kanë patur për protagoniste futbollistet Tula, Shpuza, Abazi e Lazri. Juban Danja ndërkohë është ndeshur sipas kalendarit me ekipin “The Door”, pra një derbi shkodran. Ndeshja është dominuar tërësisht nga vajzat e Jubanit që kanë arritur të fitojnë në fund 5-1. Kapitenia e këtij ekipi Emanuela Jaku ka shënuar 3 gola ndërsa dy golat e tjerë mbajnë për autore K. Rrotanin dhe A. Vishkullin. Për t’u përmendur është fakti se në fillim të kësaj ndeshje, është mbajtur një minutë heshtje për ish-futbollistin e Vllaznisë Ardian Arra dhe për ish-futbollisten e Juban Danja, Gilberta Markun që janë ndarë nga jeta pak kohë më parë. Të shtunën luhen ndeshjet e javës së dytë të kampionatit dhe Juban Danja do udhëtojë drejt Durrësit për t’u ndeshur me Shkëndinë vendase, Ada do të udhëtojë drejt kryeqytetit për t’u ndeshur me Tirana AS ndërsa The Door do të luajë në Kamëz ndaj Dardanisë.