Dy skuadrat kryesuese të kampionatit kombëtar të futbollit të femrave, Ada dhe Juban Danja i kanë fituar ndeshjet e tyre të rradhës, të vlefshme për javëne e pestë të kampionatit. Ada kryesuese dhe kampione në fuqi, ka luajtur në kryeqytet ndaj ekipit Tirana AS e cila edhe ajo ka qenë në garë për titull dhe ndeshja është zhvilluar shumë e fortë megjithatë, vajzat velipojake e kanë dominuar lojën dhe kanë fituar 3-1. Dy gola në këtë ndeshje janë shënuar nga Megi Doçi ndërsa tjetri nga Ana Baro. Ndërkohë në Shkodër janë luajtur dy ndeshje. E para ka qenë ajo në mes Juban Danjës dhe Shkëndisë së Durrësit. Të parat nuk e kanë patur problem të fitojnë përkundrazi shqetësimi i vetëm për vajzat e këtij ekipi ka qenë se kush do të shënonte më tepër. Advije Veliu ka shënuar plot 5 herë, trajneria- lojtare Emanuela Jaku ka shënuar një gol tjetër, dy kanë patur autore Klaudio Rrotani dhe një tjetër është shënuar nga Suada Jashari. Në ndeshjen tjetër, The Door ka mundur thellësisht Dardaninë 13-0. Renditja pas kësaj jave është kjo: Ada udhëheq me 13 pikë, dy më shumë se Juban Danja ndërkohë që Tirana As që mban vendin e tretë ka 9 pikë. Në këtë mënyrë, gara për titullin kampion tashmë është fokusuar vetëm tek dy ekipet shkodrane.

www.shkodrasport.com