Dy skuadrat shkodrane të futbollit të femrave, Ada dhe Juban Danja nuk kanë patur asnjë problem për të fituar edhe ndeshjet e rradhës në kampionat. Në ndeshjet e sotme, të vlefshme për javën e nëntë të kampionatit, ato madje kanë arritur fitore të thella. Ada kryesuese ka qenë udhëtuese në Durrës teksa është ndeshur me Shkëndinë vendase dhe ka fituar ndaj saj me rezultatin 5-0. Në këtë mënyrë sot ka marrë fund edhe cikli shumë i ngjeshur i ndeshjeve për këtë ekip teksa në tetë ditë ata kanë zhvilluar plot 7 ndeshje, madje 5 prej tyre shumë të forta. Nga ana tjetër, në Shkodër është luajtur derbi Juban Danja- The Door. Pritej një luftë më e fortë sportive nga ekipet e drejtuara prej trajnerëve Kreshnik Krepi nga njëra anë dhe Arben Parmeza e Ahmet Meta në krahun tjetër por nuk ka ndodhur kështu. Në ndeshjen e drejtuar nga treshja e gjyqtarëve shkodranë me kryesore Fatjona Borovën dhe ndihmësa të saj Dritan Salajn dhe Arsen Mehmedajn, ekipi i Juban Danjës ka siguruar një fitore të thelle 9-0 me katër gola të shënuar nga kapitenia Advije Veliu, dy të tjerë nga Emanuela Jaku ndërsa nga një gol kanë shënuar Anela Vishkulli, Klaudia Rrotani dhe Aurora Seranaj. Edhe pas ndeshjeve të kësaj jave, distanca mes këtyre dy ekipeve vazhdon të jetë dy pikë në favor të Adës dhe ndeshja direkte mes këtyre dy ekipeve që do të zhvillohet pas dy javësh, do të vendosë përfundimisht edhe fatin e titullit kampion për këtë sezon.
www.shkodrasport.com
FAQJA E PARE FUTBOLL FUTBOLLI I FEMRAVE Ada e Juban Danja, të tjera fitore ndaj kundërshtarëve të tyre