Skuadra e Adës në futboll për femra e ka mbyllur ditën e sotme turneun ndërkombëtar të futbollit që u zhvillua në Budva të Malit të Zi prej 5 ditësh. Siç kemi bërë të ditur, ndeshja e fundit ka qenë kundër ekipit më të mirë pjesmarrës në këtë turne por edhe njërit prej ekipeve më të mira të Europës, Rossyanka të Rusisë. Kjo skuadër është në tetëshen e Ligës së Kampioneve dhe pas pak ditësh do të luajë me gjermanet e Volfsburg dhe ka objektiv kalimin e saj dhe madje edhe fitimin e këtij trofeu shumë të rëndësishëm. Në rradhët e Rossyankas bënin pjesë edhe 5 futbolliste afrikane që e kishin rritur shumë forcën e këtij ekipi.


Përballë tij, Ada e ka patur shumë të vështirë të bëjë diçka dhe për rrjedhojë është mundur me rezultatin 0-8. Në fakt deri dy minuta para fundit të ndeshjes, velipojaket kishin pësuar gjashtë gola dhe dy të tjerët e pësuar në fund, e kanë çuar në tetë numrin e tyre. Megjithatë me shifra të thella ruset kanë mundur edhe ekipet e tjera ndërkohë që për Adën duhet thënë se ka qenë një lodhje shumë e madhe pjesmarrja në një turne të tillë sepse ajo sot ka luajtur ndeshjen e gjashtë në gjashtë ditë. Megjithatë fakti se asnjë nga vajzat pavarësisht lodhjes nuk ka pësuar dëmtim, tregon se gjërat janë në rregull dhe ky turne i ka shërbyer shumë stafit drejtues për të testuar veten në prag të ndeshjes kryesore për kampionatin shqiptar me Juban Danjën pas dy javësh.
www.shkodrasport.com