Faza e dytë e kampionatit ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme për ekipin e Adës. Në javën e parë ajo e ka patur pushim, ndërkohë që në të dytën, atë të luajtur dje në kryeqytet ndaj Internacional, velipojakët kanë fituar me rezultatin 1-0.

Goli i mesfushorit Paolo Çapaliku që në pjesën e parë, ka mjaftuar që ky ekip të marrë një trepikësh me shumë vlerë në këtë ndeshje dhe padyshim që ai do ta ndihmojë në ecurinë e mëtejshme në kampionat.

Por ndërkohë ajo që duhet theksuar është se tek Ada ka patur ndryshime të rëndësishme në këtë fillim të fazës së dytë. Bashkë me skuadrën është bashkuar një emër shumë i njohur për të, mesfushori Vahedin Pepa, i cili ka luajtur për disa sezone më parë me këtë ekip.

Por jo vetëm kaq. Tek skuadra velipojake ka edhe një tjetër rikthim të rëndësishëm. Bëhet fjalë për trajneri Ersi Çaku i cili ka marrë drejtimin e kësaj skuadre ashtu siç ka bërë edhe para dy sezoneve.

Me këtë dyshe por edhe me pjesën tjetër të lojtarëve, Ada pritet të bëjë një fazë të dytë kampionati shumë të mirë dhe të arrijë objektivin e saj për të qenë në mes ekipeve më të mira të kampionatit.
© shkodrasport.com