Lajme të mira për Akademinë Vllaznia por mbi të gjitha për ekipet e Adës dhe veleçikut. Këto ekipe mund t’i luajnë ndeshjet e tyre zyrtare për kampionat në fushën sportive “Reshit Rusi” të qytetit tonë. Kjo ngaqë në këtë fushë, ka nisur një tjetër investim nga ana e klubit të futbollit Vllaznia, për të bërë edhe rrethimin e dytë, çka është një kusht i vënë nga ana e Federatës. Punimet kanë dy ditë që kanë nisur dhe po ecin me ritme të shpejta dhe mund t puërfundojnë për 3-4 ditë.
Por a do mundet t’i luajnë ndeshjet e tyre edhe Ada e Veleçiku në këtë fushë, ekipe këto që janë detyruar të degdisen sa në njërin qytet në tjetrin për të luajtur takimet e kampionatit? Kësaj pyetje do t’i japin përgjigje përfaqësuesit e Federatës të cilët me shumë siguri, menjëherë pas ndeshjeve të kombëtares do të nisin pjestarët e komisionit të liçensimit të stadiumeve për të parë punimet e bëra dhe nëse ka ende për të bërë, për të lënë detyrat se çfarë duhet korigjuar.Në këtë mënyrë, pas përfundimit të ndriçimit, investimi tjetër që po bëhet tek fusha “Reshit Rusi” është vërtetë për t’u vlerësuar duke i krijuar kushte sa më të mira Akademisë Vllaznia në rradhë të parë por edhe për t’i ardhur në ndihmë edhe Adës e Veleçikut. Rrethimi i dytë do jetë tre metra e gjysëm i lartë tashmë duke plotësuar të gjitha kriteret që edhe policia t’i marrë përsipër zhvillimet e ndeshjeve aty. Investimi i fundit po bëhet nga klubi i futbollit Vllaznia në bashkëpunim me disa miq të mirë të tij të cilët kanë qenë dhe janë të gatshëm të investojnë për t’i ardhur në ndihmë sportit shkodran.
© shkodrasport.com