Skuadra velipojake që nga dita e sotme do të ketë një trajner të ri. Presidenti Alfred Pjetri ka vendosur t’ia besojë pankinën në javët e mbetura të këtij sezoni, por edhe për atë që vjen, një emri shumë të njohur në Velipojë por edhe më gjerë: Vahedin Pepa.

Ky i fundit aktualisht është pjesë e skuadrës në rolin e futbollistit por 35 vjeçari është drejt fundit të karrierës dhe për rrjedhojë duket se po mendon të nisë trajnimin.

Për këtë arsye, ka rënë dakord për të marrë drejtimin e Adës, kryesisht për të përzgjedhur elementin që do ta përbëjë këtë ekip sezonin e ardhshëm në të cilin ekipi pritet të ketë pretendime.

Lajmin e bën të ditur për gazetën “Shkodra Sport” vetë presidenti i Adës Alfred Pjetri kur thotë: “Kam rënë dakord me Vahedin Pepën, për të qenë ai trajneri i ardhshëm i Adës. Kuptohet që këtë sezon do të vazhdojë edhe të luajë, megjithatë prioriteti i tij do të jetë fillimi i ndërtimit të skuadrës për sezonin e ardhshëm, në të cilin ekipi do të ketë pretendime për t’u ngjitur një kategori më lart.

I besova përvojës së madhe të Pepës si futbollist, por edhe dëshirës së tij për t’i dhënë sërish Adës edhe si trajner, ashtu siç ka bërë për vite me rradhë edhe si lojtar”.

Vahedin Pepa përveçse me Adën, ka luajtur edhe me Besëlidhjen, Veleçikun e Tërbunin ndërkohë që tashmë do të nisë rrugëtimin e tij edhe si trajner.
© shkodrasport.com