Ada ka arritur të marrë fitore shprese për mbijetesë në transfertë, teksa ka mundur Naftëtarin, skuadër kjo që rikthehej pas pezullimit gjashtëjavor në stadiumin “Bashkim Sulejmani”. Kuçovarët sezonin e ardhshëm do konkurrojnë në Kategorinë e Dytë, ndërsa goli i Romario Alushit do të mbahet mend si ai i fundit i shënuar në shtëpi në të Parën. Gjatë takimit të djeshëm duhet thënë se vendësit në përgjithësi patën më shumë iniciativë, ndërsa gjatë fraksionit të parë rrezikuan dy herë seriozisht me anë të E.Alushit dhe Kopaçit.
Mirëpo ishin velipojakët, ata që kaluan në avantazh me të vetmin aksion sulmues, ku Jaçaj rezulton përcaktues, ashtu si një javë më përpara ndaj Himarës. Pjesa e dytë është më e qetë, përballë një Naftëtari pothuajse të dorëzuar. Miqtë kërkojnë golin e sigurisë dhe arrijnë të shënojnë në minutën e 66-të, me anë të Pukës pas një gjuajtje të prirët me portierin Memaj. Pas golit të dytë, ritmi bie ndjeshëm, por gjithsesi shënohet përsëri në portat respektive. Fillimisht trefishon rezultatin i sapofuturi Drobeja, ndërsa shkurton distancën me penallti Romario Alushi.
NAFTËTARI – ADA 1-3
GOLAT: R.Alushi 73′(11-m) / Jaçaj 40′, Puka 66′, Drobeja 72′
NAFTËTARI: Memaj, Kuçi, Azisaj, Hoxha, Daci, E.Alushi, Kopaçi, Koroveshi, Gega (R.Alushi 46′), Zylyftari (Marini 46′), Lila (A.Çela 46′). Trajner: E.Koxhaj
ADA: Selimaj, Ferlushkaj, Karakaçi, Isufi, Ed.Doçi, Hoti, Tafa (Jaçaj 10′), Lini, Mujeci (Drobeja 66′), Erkoçeviç (El.Doçi 46′), Puka. Trajner: R.Kulli
GJYQTARË: A.Kamberaj, E.Pashaj, I.Llupi (Patos);
KARTONË TË VERDHË: A.Çela 62′ / Mujeci 50′
DELEGAT: A.Mali (Patos)
VËZHGUES: T.Hoxha (Vlorë)