Ekipi i Adës së Velipojës ka kohë që ka nisur përgatitjet për kampionatin e sivjetëm, atë të kategorisë së dytë ku do të marrë pjesë.
Drejtuesit e tij po punojnë për të marrë të tjerë lojtarë cilësorë dhe në ditët e mbetura deri në nisjen e kampionatit, pritet të ketë sërish prurje.
Galica, Ferhati, Guri, Brigja, Marku etj, janë baza e skuadrës ndërkohë që atyre u janë shtuar edhe elementë të rinj me shumë të ardhme.
Aktualisht në stërvitje janë plot 30 futbollistë dhe kjo ka bërë që të ketë edhe konkurrencë për formacionin e parë.
Një nga drejtuesit e Adës- Ylvi Rroji, njeriu që ka një angazhim shumë të madh tek ky ekip dy sezonet e fundit, në një prononcim të shkurtër për “Shkodra Sport” do të shprehej:
“Puna ka nisur prej kohësh dhe tashmë jemi në përgatitjet e fundit për kampionat. Presim edhe pesë përforcime të tjera dhe më pas do të dalim edhe publikisht për të përcaktuar objektivin që do të ketë Ada në sezonin e ri.
Megjithatë po jua them që tani: Do synojmë dy vendet e para të renditje. Po punojmë fort për këtë gjë dhe baza e suksesit tonë besoj se kanë për të qenë grupi kompakt i skuadrës dhe financat.
Gjithsesi, të presim edhe pak dhe më pas do të flasim më qartë për çdo gjë”. Kampionati i kategorisë së dytë do të startojë më 16 shtator dhe veç Adës në të do të marrë pjesë edhe Vllaznia B.
© shkodrasport.com