U mendua dhe u ra dakord që ndeshja gjysmëfinale e Kupës së Shqipërisë në futboll për femra në mes dy ekipeve shkodrane, Adës dhe Juban Danjës, të luhej këtë të shtunë në Shkodër. Edhe drejtuesit e FSHF-së ishin dakord për këtë gjë ngaqë sfidat mes këtyre ekipeve kanë ngjallur jo pak interes tek tifozëritë e dy skuadrave. Por bora e rënë prej dy ditësh në Shkodër, ka bërë që ky plan të dështojë dhe për rrjedhojë, ndeshja mes këtyre dy skuadrave do luhet në kompleksin e ekipeve kombëtare në Kamëz. Ky ëshë vërtetë një derbi mes dy skuadrave më të mira aktualisht në futbollin e femrave dhe me siguri, kush ta fitojë këtë ndeshje, do jetë edhe fituesja e Kupës së këtij edicioni. Edhe sezonin e kaluar këto dy ekipe kanë diskutuar finalen kur në fund, fituese u shpall Ada e Velipojës. Për ndeshjen e nesërme, dy trajnerët Fatmir Axhani dhe Kreshnik Krepi janë munduar t’i përgatisin ashtu siç duhet ekipet e tyre për ta fituar këtë ndeshje megjithatë do jetë fusha e lojës që do tregojë se kush është më i forti. Po nesër, në Kamëz luhet edhe ndeshja tjetër, ajo mes ekipit tjetër të Shkodrës- The Door dhe Kinostudios. Edhe kjo ndeshje është e vlefshme për turin gjysmëfinal të kupës dhe me shumë mundësi këtë edicion do kemi sërish një finale shkodranësh.

www.shkodrasport.com