
Për herë të parë në historikun e futbollit të femrave në Shqipëri, Federata Shqiptare e Futbollit ka vendosur të zhvillojë edhe finalen e Superkupës. Trofe ky që ashtu si në futbollin e meshkujve zhvillohet në mes ekipit që ka dalë kampion I vendit një sezon më parë dhe ekipit fitues të Kupës së Shqipërisë. Edhe koha kur zhvillohet kjo finale është thuajse e përcaktuar, që do të thotë se luhet zakonisht një javë përpara nisjes së kampionatit. Përderisa, kampionati kombëtar I femrave nis në mesin e shtatorit, finalja e Superkupës është caktuar të zhvillohet në javën e parë të këtij muaji. Në finale siç dihet do jetë sërish derbi shkodran, ai në mes Adës së Velipojës që ka fituar titullin kampion në sezonin e fundit dhe Juban Danjës, skuadrës fituese të Kupës së Shqipërisë. Këto janë dy skuadrat më të mira të vendit në futbollin e femrave dhe prandaj pritet që të jetë një ndeshje shumë interesante. Ballafaqimet e tyre në sezonin e fundit, kanë dhuruar dy barazime në ndeshjet e kampionatit, ndërsa në finalen e kupës, ka fituar ekipi I Juban Danjës. Por ndërkohë, Ada, duke qenë se merr pjesë edhe në Ligën e Kampioneve është përforcuar edhe me katër futbolliste malazeze. Ajo prej pak ditësh ka nisur edhe fazën përgatitore në plazhin e Velipojës. Gjithçka duket në rrugën e duhur për përgatitjet. Nën drejtimin e trajnerit të sapoemëruar Selami Pepaj, vajzat po zhvillojnë një stërvitje shumë intensive. Të akomoduara në Bar Restorant Hotel “Vllaznia” gjithçka po shkon mirë për këtë ekip teksa me skuadrën janë bashkuar në stërvitje edhe dy kosovaret, Govori e Berisha si dhe dy futbollistet malazeze që kanë qenë pjesë e saj edhe sezonin e kaluar. Ndërkohë që ekipi I Juban Danjës sipas informacioneve të para që merren rreth tij, nuk e ka të njëjtën përbërje si një sezon më parë teksa I janë larguar disa prej futbollisteve kosovare. Po ashtu edhe trajneri Kreshnik Krepi është larguar dhe tashmë pritet emërimi i trajnerit të ri. Me shumë gjasa, do të jetë sërish futbollistja e këtij ekipi Emanuela Jaku ajo që do të mbajë edhe postin e trajneres së Juban Danjës. Pavarësisht këtyre fakteve, finalja e Superkupës është e sigurtë se do të dhurojë emocione të shumta. E vetmja gjë që ka mbetur për t’u përcaktuar është vetëm vendi I zhvillimit të finales së kësaj Superkupe. Interesante do ishte që ajo të zhvillohej në Shkodër për të sjellur shumë shikues në këtë ndeshje megjithatë fjalën e fundit do ta thotë Federata Shqiptare e Futbollit.
Gjergj KOLA