
Skuadra e Adës ashtu si çdo sezon tjetër, edhe këtë herë ka shumë shpresë të marrë lojtarë të rinj nga Vllaznia për të forcuar rradhët e saj. Aktivizimi me skuadrën velipojake u shërben më pas atyre si trampolinë për t’u rikthyer sërish tek kuqeblutë ose për të kaluar në skuadra të tjera të Superligës. Pikërisht për këtë gjë, dje trajneri I Adës Samuel Nikaj ka patur një takim me drejtuesit e Vllaznisë, Shabën, Grimën por edhe trajnerin Duro për të biseduar në lidhje me mundësitë që ekzistojnë për të marrë ndonjë lojtar që nuk është në planet e tyre. Marëveshjet e bashkëpunimit në mes dy klubeve do vazhdojnë me siguri dhe në ditët e ardhshme do merret vesh se cilët futbollistë të rinj do të huazohen tek Ada.