Fundi i gjysmës së parë të kampionatit nuk ka qenë aspak i mirë për ekipin e Adës. Rezultatet e arritura prej tij kanë qenë zhgënjyese nisur nga pritshmëria që ishte. Kjo gjë u shtua edhe më shumë me atë që ndodhi në ndeshjen e fundit, atë me Burrelin kur rezultati nga 3-0 për velipojakët shkoi në 3-3 vetëm në 25 minutat e fundit të lojës.
Në këtë mënyrë, me vetëm 8 pikë në renditje, skuadra duket se ndodhet jo pak e rrezikuar për rënien nga kategoria megjithatë ka shpresa. Kjo sepse drejtuesit e kësaj skuadre po mendojnë dhe i kanë hedhur sytë tek merkatoja e janarit. Kjo ngaqë disa prej lojtarëve të Veleçikut pritet të largohen nga kjo skuadër dhe me shumë gjasa do t’i bashkohen Adës. Kjo sepse këta futbollistë u patën zgjedhur nga trajneri Kreshnik Krepi për të shkuar tek Veleçiku në fillim të sezonit por pas largimit të tij, mund të largohen edhe ata. Madje, bëhet e ditur se disa prej këtyre futbollistëve tashmë i kanë shkëputur marëdhëniet me koplikasit. Kapiteni Vahedin Pepa ka qenë i pari që ka marrë leje- kalimin madje ai në këto takimet e fundit të Adës, ka qenë në tribunë në stadium për ta ndjekur nga afër atë. Kjo do të thotë se ka shumë të ngjarë që për gjysmën tjetër të sezonit, ai të jetë pjesë e skuadrës velipojake. Bashkë me të mund të jenë edhe tre-katër futbollistë të tjerë, emrat e të cilëve gjithsesi nuk bëhen të ditur për momentin. Kjo ngaqë ato akoma janë në fazën e tërheqjes së dokumentacionit nga Veleçiku dhe pasi ta kenë bërë këtë gjë, do të vendosin për të ardhmen e tyre. Presidenti i Adës Alfred Pjetri dhe trajneri Kreshnik Krepi kësisoj janë në pritje të këtyre zhvillimeve. Skuadra për momentin e ka ndërprerë stërvitjen dhe do ta rifillojë atë në ditët e para të janarit. Pikërisht atëherë, përveç kontigjentit aktual, mendohet që prezent të jenë edhe disa futbollistë të tjerë. Bregdetarët me paraqitjet e bëra në ndeshjet e deritanishme kanë treguar shumë mangësi sidomos në fazën mbrojtëse dhe për këtë arsye, ata kanë nevojë për portier, mbrojtës dhe mesfushorë. Nëse i gjejnë lojtarët e duhur në merkato, duket e sigurtë se për gjysmën e dytë të sezonit do të shohim një Adë tjetër dhe shanset për të mbijetuar rriten.
Gjergj KOLA