Merr pikë jashtë në ndeshjet jashtë dhe humb në Velipojë. Kjo është ecuria e Adës në tre javët e para të këtij kampionati.
Ditën e sotme ajo ka arritur të barazojë në shifrat 2-2 ndaj Bulqizës në fushën e kësaj të fundit, madje mund të themi se velipojakët kanë qenë shumë pranë marrjes së trepikëshit.
Ndonëse futbollistët e Bulqizës u dukën shumë të vendosur për ta fituar këtë ndeshje, ata kanë hasur në një rezistencë të madhe të lojtarëve të drejtuar nga trajneri Admir Mehja.
Saliaj ka kaluar në avantazh vendasit në minutën e 24-të dhe pjesa e parë do të mbyllej me këtë gol. Në fillimin e pjesës së dytë, pikërisht në minutën e 49-të ka qenë futbollisti Frroku që ka barazuar rezultatin duke rihapur ndeshjen.
Ada nuk e ka ulur ritmin dhe në minutën e 69-të ka qenë futbollisti Guri që do të kalonte në avantazh atë duke shtuar shpresat për fitoren e kësaj ndeshje, megjithatë 10 minuta më vonë Xhakolli do të barazonte rezultatin dhe këtu do të mbyllej gjithçka në shifrat 2-2.
Të dy ekipet ndajnë në këtë mënyrë nga një pikë dhe ndodhen secila në kuotën e 4 pikëve. Ada duhet të bëjë mirë në ndeshjet e ardhshme që do të luajë në Velipojë sepse në ato në transfertë po bën mirë dhe pas fitores me Klosin, edhe barazimi i sotëm me Bulqizën janë tregues shumë pozitiv./SHKODRA-SPORT.COM/