Skuadra e Adës ka arritur të marrë një fitore me shumë vlera në ndeshjen e prapambetur të javës së 25-të ndaj Pogradecit teksa ka fituar 2-1. Ndeshja e luajtur në Pogradec ka shfaqur një dëshirë më të madhe të djemve velipojakë për të arritur fitoren përballë një Pogradeci tashmë të dorëzuar përfundimisht nga gara për të zënë vendin e dytë dhe për t’u ngjitur në Superligë. Trajneri Ritvan Kulli i kishte udhëzuar ashtu siç duhet futbollistët e tij për të qenë të kujdesshëm jo vetëm në manovrën mbrojtëse por për të parë edhe drejt portës vendase. Pjesa e parë ka qenë e barabartë. Në fillimin e së dytës, Ada ka rritur presionin dhe në një moment, ka fituar një 11-metërsh. Nga pika e bardhë ka qenë Orges Lini ai që ka gjuajtur saktësisht duke kaluar në avantazh ekipin e tij. Një gol që ka habitur disi vendasit që janë hedhur në sulm për të kërkuar golin e barazimit, madje në 2-3 momente ka qenë shumë pranë arritjes së tij por në minutën e 77-të do ishte Erjon Hoti ai që do të shënonte edhe golin e dytë për Adën. U duk se ndeshja do mbaronte me këtë rezultat por Pogradeci nuk do ishte dakord. Ai ka arritur të shënojë një gol në minutën e fundit të kohës së rregullt, madje ka qenë shumë pranë golit të barazimit në shtesë, gjithsesi nuk ia ka dalë dot. Ada në këtë mënyrë ka fituar me meritë 2-1, një trepikësh ky që do t’i vlejë shumë për ecurinë e mëtejshme në katër javët e mbetura të kampionatit. Me fitoren e sotme, velipojakët janë ngjitur në kuotën e 33 pikëve, në vendin e nëntë në renditje.
www.shkodrasport.com