Ekipi kampion i Shqipërisë në futbollin e femrave- Ada e Velipojës është ftuar të marrë pjesë në një turne shumë të rëndësishëm ndërkombëtar që ka filluar sot në Budva të Malit të Zi. Në këtë turne, siç bëhet e ditur nga organizatorët, marrin pjesë 6 ekipe me peshë në futbollin europian të futbollit të femrave. Merr pjesë një nga tetë skuadrat më të mirë të Europës, kampionia e Rusisë skuadra Rossyanka. Marrin pjesë kampionia e Shqipërisë Ada e Velipojës, kampionia e Bosnjë Hercegovinës SFK 2000 Sarajevo, kampionia e Hungarisë ZNK Pomanje Belinci, nënkampionia e Rumanisë FCM Tirgu Mures dhe skuadra kombëtare e Malit të Zi.


Siç shikohet, vetëm duke u nisur nga ekipet pjesmarrëse, dallon qartë koeçentin e lartë të vështirësive për përfaqësuesen e vendit tonë në këtë turne. Ekipi i Adës ka udhëtuar që mbrëmjen e së shtunës drejt Ulqinit ku janë të akomoduar të gjashtë ekipet ndërsa sot do të zhvillojë ndeshjen e parë. Kalendari i ndeshjeve për të në këtë turne do jetë ky:
24.2.2013 SFK 2000 Sarajevo (Bosnjë)- KF Ada (Shqipëri)
25.2.2013 ZNK Pomonje Beltinci  (Hungari)- KF Ada (Shqipëri)
26.2.2013 KF Ada (Shqipëri)- Kombëtarja Malit të Zi
27.2.2013 FCM Tirgu Mures (Rumani)- KF Ada (Shqipëri)
28.2.2013 Rossyanka (Rusi) – KF Ada (Shqipëri)

Sipas presidentit të Adës Lazër Matija, pjesmarrja në këtë aktivitet ka patur një kosto jo të vogël megjithatë është marrë pjesë për të fituar eksperiencë në përballjet me të tilla skuadra. “Po shohim se në kampionatin shqiptar, vetëm 2-3 ndeshje janë të forta dhe të shërbejnë për të parë veten. Në kushte të tilla, e pamë me interes pjesmarrjen në këtë turne për të matur forcat tona me këto ekipe por kuptohet që diferencat janë të mëdha sepse do luajmë edhe me ekipin e  Rossyankës të Rusisë që merr pjesë në 1/4 e Champions Leagues të Europës”.
www.shkodrasport.com