Edhe pse ekipi i Adës ka plotë pesë mungesa për takimin e sotëm në Mamurras, duket se nuk lëviz nga synimi i saj maksimal për të kërkuar fitoren në këtë fushë të vështirë. Trajneri Samuel Nikaj i beson shumë grupit, që ka në dispozicion se mund të arrijë një gjë të tillë. “Vërtetë kemi mungesa, por në Mamurras do të zbresin në fushë si të barabartë dhe gjithçka fillon me 0-0. Me gjithë respektin, që kemi për kundërshtarin, ne do të synojmë tre pikët. Nuk kemi arsye të mendojmë ndryshe, ndonëse kemi jo pak mungesa, por ky fakt nuk na kushtëzon për të arritur objektivat tona. Nuk diskutohet që futbollistët, që do të mungojnë në këtë ndeshje, kanë vlerat e tyre, por edhe këta që do të zbresin në fushën e lojës kanë vlerat dhe autoritetin e tyre, të cilën do ta tregojnë në fushën e lojës. Pra mendoj se do të jetë një ndeshje e hapur dhe e bukur, kutë dyja ekipet do të kërkojnë fitoren, porn eve na intereson rezultati në favorin tonë. Skuadra, pavarsisht barazimeve të javëve të fundit, e ka moralin lart dhe besoj se do të bëjmë një paraqitje dinjitoze, ndërsa rezultatin do ta vendosë fusha e lojës”, trajneri i Adës së Velipojës Samuel Nikaj, për përballjen e sotme me Mamurrasin. Në këtë ndeshje do të rikthehet, pas disa javësh mungesë, një pikë e fortë, e sezonit të kaluar, të kësaj skuadre, mesfushori David Lleshi, i cili prej pak muajsh ka vuajtur nga një dëmtim, që mendohet se tashmë e ka kaluar dhe është në gjendje të kontribuojë për Adën. Gjithashtu edhe kryetari i Komunës së Velipojës Pashko Ujka do të akordojë një premio, së cilës për momentin nuk i dihen shifrat.
Mejdan Zhivani